Futboll

Liverpuli në “çatinë” e Europës, Klop prish mallkimin e finaleve

Liverpuli nuk mund të gabonte në finalen e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve, trajneri Jurgen Klop nuk mund ta humbiste finalen e tretë të këtij kompeticioni të rëndësishëm. Mohamed Salah dhe Origi kanë shënuar dy golat e fitores ndaj Totenhemit dhe e kanë ngjitur Liverpulin në “çatinë” e Europës. Të kuqtë fituan 2-0 dhe janë kampionët e rinj të Europës, për herë të 6-të në historinë e tyre. Një sukses tërësisht i merituar ndaj Totenhemit, që meriton komplimente për lojën e zhvilluar në “Wanda Metropolitano”. Festa në Madrid ka qenë e gjitha për djemtë e Klop dhe tifozët e tyre.

Trofeu i Championsit para se të niste ndeshja

Ndeshja nisi me gol që në “tunel”. Liverpuli fitoi një penallti në minute e parë, pas prekjes së topit me dorë nga Sisoko në zonë dhe pas konsultimit të arbitrit slloven, Damir Skomina, me VAR-in. Mohamed Salah nuk gaboi nga pika e bardhë dhe skuadra e Klop kaloi në avantazh. Më pas pati një tërheqje të Liverpulit, që tentoi të gjente golin me goditjet nga jashtë zonës. Totenhemi pati më shumë iniciativë në pjesën e parë, por pa e vënë në rrezik serioz portierin Alison.

Salah feston golin e avantazhit për Liverpulin

Pak pas fillimit të pjesës së dytë, trajneri Klop zëvendësoi sulmuesin Firmino dhe mesfushorin Uijnaldum me Origin dhe Milner. Reagoi nga stoli edhe trajneri i Totenhemit, Mauricio Poketino, duke hedhur në fushë edhe Lukas Mouran, Dajerin dhe Lorenten, por pa rezultat. Dy minuta para fundit, Origi shënoi edhe golin e dytë për Liverpulin, duke prerë shpresat e kundërshtarit për trofeun e Championsit. Duhet theksuar se para golit të dytë të Liverpulit, portieri Alison u bë shpëtimtar i skuadrës së tij me disa pritje vendimtare. Këtë herë Liverpuli nuk ka qenë shumë spektakolar në fushë, por pragmatist. Një strategji, që i dha trofeun e rëndësishëm, kupën me veshë të mëdhenj, që e lakmon çdo klub i madh europian.

Koreografia spektakolare para nisjes së finales

Një organizim perfekt i finales së Championsit në stadiumin “Wanda Metropolitano”, që ofroi pamje spektakolare të krijuara nga tifozët anglezë, ku dominonte ngjyra e kuqe e Liverpulit. Muzikë para nisjes së ndeshjes dhe koreografi mjaft interesante. Në pjesën e parë pati edhe një moment ndërprerjeje të ndeshjes, pasi në fushë u shfaq befas një bionde gjysmë e zhveshur, që u largua menjëherë nga agjentët e sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë