Futboll

Liverpuli jashtë FA Cup, Klop merr goditjen e dytë radhazi

Pas humbjes me Mançetser Sitin në kampionat, Klop priste reagimin e të tijve në turin e tretë të FA Cup ndaj Volverhemptonit, ekipit të rikthyer në Premier pas 6 vitesh mungesë. Por përgjigja nuk erdhi dhe Liverpuli u eliminua nga ky kompeticion, duke humbur 2-1.

Ndeshja nisi keq për Liverpulin, që në minutën e 4-t humbi mbrojtësin Dejan Lovren për një dëmtim. Vendin e tij e zuri Ki-Jana Hoever, lojtari më i ri që ka luajtur në FA Cup, vetëm 16 vjeç. Raul Jimenez shënoi golin e avantazhit për “ujqërit”, duke përfituar nga një ngatërresë e Milnerit. Pak pas fillimit të pjesës së dytë, Origi barazoi shifrat me një të majtë të fuqishme, por gëzimi i Liverpulit zgjati shumë pak. Ruben Neves realizoi një gol shumë të bukur dhe riktheu në avantazh Volverhemptonin. Asnjë shans për portierin Mignolet. Xherdan Shaqiri ishte pa fat në ekzekutimin e një goditjeje dënimi, ku topi u stampua në shtyllë.

Në 20 minutat e fundit trajneri Klop hodhi në fushë edhe dy sulmuesit Salah dhe Firmino, por pa rezultat, sepse asgjë nuk ndryshoi dhe Liverpuli është tashmë jashtë FA Cup. Dy humbje radhazi për ekipin që udhëheq Premier League janë shumë dhe për të shmangur krizën, duhet patjetër që djemtë e Klopit të bëjnë kthesën në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë