Futboll

Liverpuli 6×6, shkëputet 5 pikë nga Siti i Guardiolës

Janë 6 fitore në 6 ndeshje. Mes emocionesh, Liverpuli i trajnerit Klop ka mundur 1-2 Çelin në Londër. “Të kuqtë” e kanë nisur fuqishëm vrapin drejt titullit, duke mos lënë asnjë pikë rrugës deri tani. Edhe ndaj Çelsit më të mirë të sezonit, Liverpuli regjistroi suksesin e 6-të radhazi, me gola të Aleksander-Arnold dhe Firminos. Goli i Kante në pjesën e dytë e rihapi ndeshjen, por pa e ndryshuar rezultatin.

Ndeshja nisi me një shpejtësi supersonike. Lampard rikuperoi në kohë Mount dhe mbi të gjitha Kante, kurse Liverpuli ishte ai i zakonshmi. Pas çerek ore lojë, Aleksander-Arnold ekzekuton bukur një goditje dënimi dhe Liverpuli kalon në avantazh. Azpilikueta barazoi në minutën e 27-të, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje të Mount. Skuadra e trajnerit Klop dyfishon me brazilianin Firmino, i cili mposht Kepën me një gjuajtje me kokë. Salah humbet një rast të artë për të shkuar 3-0, pasi topi bllokohet nga Kristensen. Në pjesën e dytë Çelsi është më kurajoz, por vetëm shkurton diferencën me Kante 20 minuta para fundit.


Aleksander-Arnold realizon golin e parw pwr Liverpulin. Gazeta Si, 23 shtator 2019

Një fitore të rëndësishme në fundjavë ka arritur Arsenali, që ka përmbysur Aston Vilën nga 1-2 në 3-2. Skuadra e trajnerit Emeri është vërshëllyer shpesh gjatë ndeshjes nga tifozët e “Topçinjve”. Kampionati kryesohet nga Liverpuli me pikë të plota, 18 pikë në 6 ndeshje. Në vend të dytë është Mançester Siti, 5 pikë pas Liverpulit. Një diferencë e konsiderueshme në këtë fillim të sezonit dhe duket e po vjen momenti që “Të kuqtë”, pas Championsit, të shijojnë edhe titullin e munguar në Premier League.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë