Audiolajme

Rama: Testimet, debat qesharak! Nëse dyshoni, silluni sikur e keni Covid

Rama: Testimet, debat qesharak! Nëse dyshoni, silluni sikur e keni Covid

Kryeministri Edi Rama e cilësoi qesharak debatin për numrin e testimeve Covid. Ai tha se është e provuar që mes vendeve që kanë bërë më shumë testime dhe atyre që kanë bërë më pak nuk ka asnjë diferencë në pasojat e pandemisë.

Duke folur në Kuvend, Rama përçoi edhe një mesazh për qytetarët.

“Nëse keni simptoma të dyshimta, karantinohu dhe sillu njësoj sikur ta kesh Covid. Sot në Itali autoritetet shëndetësore nuk e bëjnë tamponin nëse nuk ke simptoma të theksuara. Vajtja me vrap për të bërë tamponin tek privati dhe për të paguar atje para që shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet në këtë valë nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme, shtete që bënin testime, tani janë frenuar dhe kanë ardhur aty ku Shqipëria është fokusuar qysh në krye të herës, sepse kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë”, tha Kryeministri.

Rama tha se nuk janë testimet ato që përcaktojnë nëse është menaxhuar mirë situata, apo jo.

“Por sa të infektuar ke, sa fatalitete dhe sa shtretër bosh janë. Nëse këto të trija nuk janë në gjendje alarmi, atëherë do të thotë se e kemi menaxhuar mirë pandeminë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë