Presidenti Ilir Meta doli në konferencën e përjavshme për shtyp me gazetarët. Që para daljes së tij në foltore u vu re prania e maskës, që kreu i shtetit më vonë e arsyetoi si domosdoshmëri nisur nga fakti që situata e pandemisë është përkeqësuar dhe si një gjest për të shmangur spekulimet.
Meta tha se konferencën e kishte thirrur për të denoncuar edhe publikisht ndryshimet në ligjin për Metrologjinë, që sipas tij është klientelist, korrupsion legjislativ dhe që favorizion 1-2 persona. Ai foli për përjekje për të censuruar vendimin e tij për të kthyer për rishqyrtim këto ndryshime.
Pasi shpjegoi se këto ndryshime mund të prekin çdo qytetar dhe çdo shërbim që ata marrin përmes sistemit të peshëmatjes, duke filluar që nga karburanti, energjia elektrike, uji dhe produktet ushqimore bazë, Presidenti njoftoi se kishte vendosur të padisë në SPAK të gjithë procesin e hartimit të këtyre ndryshimeve.
“Presidenti është i ndërgjegjshëm se deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe votën e dhënë në ushtrim të funksionit. Kjo është përgjegjësi e natyrës politike, gjyqtar i së cilës është publiku shqiptar me anë të instrumentit politik të votës gjatë zgjedhjeve. Por, ky parashikim kushtetues nuk mund të përdoret kurrësesi si një strehë imunitare për veprimet e tjera të ndëshkueshme penalisht të kryera nga administrata, anëtarët e Qeverisë dhe anëtarët e Kuvendit që i paraprijnë, apo bashkëshoqërojnë miratimin e një ligji”, deklaroi Presidenti.
Meta tha se në këtë formë ligji krijon sistemin e 4 P-ve, duke e shpjeguar këtë me termin “partneritet publik-privat preferencia”.
“Kjo është forma më e rëndë e shpërdorimit të detyrës, korrupsion legjislativ. shmang në mënyrë të hapur dhe dhunon konkurrencën e lirë, cenon interesat e shtetasve dhe konsumatorit, krijon shteg për abuzime me konsumatorët, ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të subjektit të kontrollit dhe të drejtat jepen pa asnjë tarifë për shtetin”, vijoi ai.
Presidenti tha se mes parashikimeve ligjore hiqet edhe e drejta për t’u ankuar në raste shkeljesh.
Komisioni parlamentar për hetimin e raportit të Dick Marty-t
Presidenti u pyet në këtë dalje para gazetarëve mbi nismën e mazhorancës për të ngritur një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar raportin e Dick Marty-t për të ashtuquajturat krime të UÇK-së në territorin e Shqipërisë. Ai e cilësoi si “turp të i madh të ndërmarrë nga 'Kali i Trojës', referuar me gjasë Kryeministrit Edi Rama.
"Parlamenti të ngrejë Komision për këtë ligjin që thashë unë (Metrologjinë), ku një oligark po tenton të vjedhë të gjithë shqiptarë çdo ditë. Ky është problem serioz. Nëse ka një parlament serioz le ta hetojë, nëse është një bandë le ta miratojnë. Ky është turpi më i madh që bën Kali të Trojës, se dihet kush i fabrikoi akuzat e Dick Martyt, se cilat vende e fabrikuan dhe kërkon të fusë përçarjen mes shqiptarëve",tha Meta.
“Pandemia jashtë kontrollit”
Presidenti u shfaq për herë të parë me maskë në publik. Ai tha se kjo diktohej nga situata e pazakontë. Ai tha se pandemia ka dalë jashtë kontrollit dhe madje u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e sigurisë, pasi siç tha, Qeveria ka prioritet oligarkët.
Meta vlerësoi qëndrimin e opozitës dhe Lulzim Bashës i vendosi notën 10-të. Vetes i vendosi 9-të.
"Basha ka qenë modeli në këtë situatë i sjelljes shembullore për ruajtjen e pandemisë. Ka qenë shumë bashkëpunues që kur ka filluar pandemia dhe më duhet të them që opozita dhe ekspertët e saj kanë qenë 5 hapa para Qeverisë para pandemisë. Ata (opozita) kanë kusuret e tyre që u larguan nga Parlamenti, por në sjelljen e tyre kanë qenë ekselente. Rama të reflektojë, të bashkëpunojë me ekspertët, opozita ka notën 10. Unë mund të kem notën 9 se nuk kam mbajtur maskën, por opozita ka bërë çdo gjë dhe edhe po të ishte në qeveri vështirë të bënte diçka më shumë", deklaroi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.