Kryeministri Edi Rama njoftoi pezullimin e fluturimeve drejt zonave të karantinës në Italinë e Veriut deri më 3 prill dhe kërkoi gjithashtu edhe mbylljen e shkollave, universiteteve, dëgjesave publike dhe aktiviteteve të tjera kulturore, sociale e sportive deri më datë 23 mars.
“Masat e sotme që ka ardhur momenti, gjithnjë në ndjekje të protokollit të përcaktuar nga OBSH, janë pezullimi i fluturimeve dhe lundrimeve detare deri më datë 3 prill me zonat e prekura në Itali. Mbyllja e institucioneve arsimore dhe aktiviteteve publike deri më 3 prill dhe pastaj vlerësimi në proces. Nga të gjitha statistikat e nxjerra deri më tani pjesa më pak e kërcënuar është e të rinjve, por nga ana tjetër duhet kuptuar se të rinjtë, fëmijët, të cilët për shkak të faktit që duhet të shkojnë në shkollë, apo kopsht dhe mblidhen së bashku mund ta transmetojnë virusin tek të tjerët, edhe pse tek ata vetë virusi nuk shfaqet kërcënues në rrezikshmëri për jetën. Ne besojmë që është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, dëgjesave publike, deri në datën 3 prill, për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi dhe pastaj për të vendosur për më tutje”, tha Rama gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë.
Mbledhja pasoi konfirmimin zyrtar të dy rasteve me koronavirus në vendin tonë. Ata janë dy persona babë e bir, 54 dhe 28 vjeç, banorë të Tiranës, që ishin kthyer në atdhe nga Firence në rrugë tokësore. Sipas disa raportimeve, dy personat kanë hyrë në Shqipëri më datë 24 shkurt në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
400 mln lek shtesë për Ministrinë e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë kërkoi 400 mln euro shtesë për t’u përballur me koronavirusin. Kërkesa është miratuar.
“Kemi vendosur në dispozicion të situatës së emergjencës, edhe financat përkatëse dhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, sipas kërkesave të bëra nga Ministria e Shëndetësisë. Është në dispozicion për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze në sistemin shëndetësor”, tha Rama.
Kryeminstri deklaroi se të gjitha masat janë marrë në konsultim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se fondi në fjalë do të përdoret kryesisht për shtimin e kapaciteteve dhe masave parandaluese dhe pajisjeve mbrojtëse për stafin mjekësor.
Gjobë kush nuk vetëizolohet, Rama: E parashikon ligji
Pjesë e masave mbrojtëse është edhe vetëizolimi i personave që hyjnë në Shqipëri nga rajonet që njihen si zona të kuqe me shpërthime të mëdha të epidemisë. Kryeministri Edi Rama tha se kjo masë është e parashikuar edhe në kuadrin ligjor të vendit dhe paralajmëroi ndëshkimet me gjobë për këdo që shkel masën e vetëizolimit.
“Vetëkarantinimi është një element që gjendet edhe në ligjin aktual dhe shoqërohet me masë administrative për këdo që thyen këtë rregull. Për të ruajtur veten dhe të tjerët duhet të vetëkarantinohet nëse vjen nga një zonë e kuqe”, deklaroi ai.
Kryeministri ftoi mediat për vetëpërmbajtje dhe deklaroi se armiku më i madh në këtë situatë nuk është virusi, por paniku.
“Mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë dhe dijen se në këtë situatë armiku më kërcënues nuk është koronavirusi por paniku që stimulohet nga lajme të rreme dhe ekzagjerime të paatorizuara dhe jo shkencore. Nuk është e tepërt të thuhet se duhet të jemi aleatë”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



