Kishte një paqartësi në lidhje me masat kufizuese të Qeverisë, nëse qendrat tregtare ishin pjesë e këtyre masave apo jo. Këtë paqartësi e sqaroi Kryeministri Edi Rama mbrëmjen e së enjtes.
“Të gjitha aktivitetet brenda një qendra tregtare, përveç atyre që lidhen me ushqimin dhe farmaceutikën duhet të mbyllen”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se nuk ka masa kufizuese në lidhje me ecjen, apo shëtitjen, por u shpreh se nuk këshillohet grumbullimi masiv i njerëzve, as në natyrë. Ai tha se në Elbasan nuk duhet të ketë tubime njerëzish në rrugët e qytetit për “Ditën e Verës”, që festohet më 14 mars.
Rama tha se kufizimet për fluturime janë vetëm me Italinë, si masë e vendosur nga Shqipëria, ndërsa me SHBA është vendim i autoriteteve amerikane. Me vendet e tjera nuk ka asnjë kufizim fluturimesh, tha Kryeministri.
Sa u takon rimbursimit të biletave të fluturimeve të anuluara, Rama u shpreh se “Air Albania” do t’ua rezervojë fluturimin në një moment të dytë të gjithë personave të prekur, ndërsa u shpreh se e njëjta gjë u është kërkuar edhe kompanive të tjera ajrore.
Kryeministri iu përgjigj në Facebook pyetjeve që nisura nga qytetarët.
Më herët, Rama publikoi masat e ashpërsuara të kufizimit të lëvizjeve, që do të hyjnë në zbatim nga mëngjesi i së premtes dhe do të jenë në fuqi përgjatë të gjithë fundjavës. Përveç ashpërsimit të masave u zgjerua edhe gjeografia e tyre, duke përfshirë edhe gjashtë qytete të tjera, si Elbasani, Lushnja, Fieri, Vlora, Shkodra dhe Lezha.
Policia e Shtetit dhe Policia Ushtarake kanë shtuar kontrollet në postblloqet e ngritura. Në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës ndalohen të gjitha automjetet, si pjesë e vendimeve për të identifikuar persona që mund të jenë kthyer në 2 javët e fundit nga Italia, apo Greqia. Ngujimi i këtyre personave është i detyrueshëm dhe nëse shkelet ky urdhër, atëherë gjoba mund të shkojë deri në 5 mijë euro.
Ndërkohë, zyrtarisht numri i të infektuarve ka shkuar në 23. Ministria e Shëndetësisë njoftoi këtë të enjte për 8 raste të reja, që përfshinin edhe Elbasanin me Rrogozhinën, dy qytete që ishin të paprekura deri më tani nga koronavirusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



