Politike

Nga 1 qershori hapen kufijtë dhe plazhet e hoteleve, plazhi publik 10 ditë më vonë

Nga 1 qershori Shqipëria do të hapë kufijtë me vendet fqinje dhe pjesërisht plazhet në bregdet, ndërsa më 10 qershor do të hapen plazhet publike, që sivjet do të dhe vetëm në fund të muajit mund të mbërrijë një vendim për hapjen e transportit publik.

Planin e mëtejshëm të hapjes së vendit e bëri publik këtë të diel, Kryeministri Edi Rama, përmes një komunikimi në Facebook. Ai tha se më 1 qershor, bashkë me hapjen e kufijve do të lejohen që të shfrytëzojnë pjesën e tyre të plazhit edhe hotelet, por që duhet të jenë të pajisur më parë me një leje dhe kontratë të respektimit të protokolleve të sigurisë anti-Covid19.

“Nga 1 qershori hapim kufijtë tokësorë me vendet fqinje, por ende jo plazhet. Askush në botë nuk i ka hapur plazhet. Nëse ne do i hapim nga 1 qershori vetëm për hotele dhe pas 10 qershorit për të gjithë. Duam që hoteleria të punojë dhe të mos konkurrohet në mënyrë të pandershme dhe paligjshme për ofertën e shërbimit për plazh”, deklaroi Kryeministri.

Megjithatë, Rama tha se hapja e kufijve me vendet fqinje nuk varet plotësisht nga Shqipëria. Ai nuk përjashtoi mundësinë që vende të tjera të rajonit ta refuzojnë këtë dhe të vazhdojnë të mbajnë të mbyllur kufijtë, në varësi të situatës së pandemisë.

Rama tha se asnjë vend tjetër në Europë nuk është hapur më shumë se Shqipëria në fazën e dytë të rikthimit në normalitet. Ai solli si shembull Suedinë, për të argumentuar se çdo hapje e pakontrolluar mund të shkaktojë një tragjedi. Rama tha se Suedia ka numrin më të lartë të vdekjeve për 1 milionë banorë.

Sa u takon kufizimeve të brendshme, Kryeministri nënkuptoi se edhe për qershorin, në zonat e kuqe, ku përfshihet edhe Tirana, lëvizja do të jetë e kufizuar në orarin 05:00 deri në 21:00, ndërsa në zonat e konsideruara si të gjelbra këto kufizime janë hequr. Megjithatë, për të lëvizur nga një zonë e gjelbër në një zonë të kuqe dhe anasjelltas, autorizimi përmes e-Albanias është i detyrueshëm.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se fundjava pa makina do të qëndrojë në fuqi edhe për të paktën dy javë dhe hapja graduale e transportit publik mund të rifillojë në fund të qershorit.

Më Shumë