Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, deklaroi se pavarësisht rritjes së rasteve të reja, shtrimeve në spital dhe shtimit të viktimave nga Covid-19, për momentin nuk do të ketë masa të reja shtrënguese.
“Kjo rritje ka lidhje me moszbatimin e duhur të masave në festat e fundvitit”, u shpreh Rakacolli.
Madje, Rakacolli la të hapur mundësinë për kthimin e studentëve në universitete:
“Por, fatmirësisht, situata vijon të mbetet e kontrolluar dhe për këtë arsye u vendos në mbledhjen e ekspertëve që të vlerësojmë mundësitë e hapjes së universiteteve dhe do të kemi vendim deri në fund të kësaj jave”, tha Rakacolli.
Ndër të tjera, Rakacolli tha se “Jemi në moment delikat, mos të harrojmë që jemi në dimër dhe njerëzit rrinë në ambiente të mbyllura. Prandaj, kërkojmë angazhim më i madh i të gjitha strukturave dhe qytetarëve për të zbatuar mbajtjen e maskave dhe respektimin e distancës sociale”.
Qarqet dhe grupmoshat më të prekura
Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se gjatë javës së fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të reja. Ajo u shpreh se incidenca një javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë.
“Këtë javë vërejmë një rritje të numrit të rasteve, një rritje të incidencës. Incidenca javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë. Duket një rritje drastike, një rritje e rëndësishme pasi një javë përpara ishte nën 200”, tha Bino.
Sipas ekspertes, rritja më e madhe e rasteve vërehet në Tiranë.
“Rritja më e madhe, vihet re në Tiranë, por edhe në qytete të tjera si në Durrës dhe Fier. Incidenca më e lartë vihet re në Bashkinë e Sarandës”, u shpreh Bino.
Tashmë rastet nuk po rriten vetëm tek grupmoshat e reja, por edhe tek ato të vjetra.
“Vihet re rritje jo vetëm në grupmoshën e re. Aktualisht vërejmë rritje të rasteve në të gjitha grupmoshat, jo vetëm të reja, por edhe të vjetra. Tregon që kemi një rritje pas festave”, tha Bino.
Ndërkohë, shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo, tha se është rritur numri i personave të shtruar në spital. Po ashtu sipas saj, “edhe moshat e reja paraqesin forma të rënduara të sëmundjes”. Çomo bëri thirrje që të mbahet maska dhe të respektohet distanca fizike.
Në vijim të pyetjes së Gazetës “Si” se kur do të mbërrinin dozat e vaksinës Pfizer në vendin tonë, zëvendësministrja Mira Rakacolli shpjegoi se në orët në vijim do të jenë prezent në Shqipëri kontigjenti i parë i vaksinave të siguruara nga kontrata me Pfizer.
“Vaksina të cilat do të përdoren sipas strategjisë tonë të vaksinimit, për persona që janë në vijën e parë për personelin shëndetësor dhe sipas asaj strategjisë që ne kemi përcaktuar. Për sa u përket vaksinave të tjera, ne vazhdojmë të punojmë, jemi në vëmendje të ndryshimit të situatës, të daljes së vaksinave në çdo moment si e kemi shpjeguar dhe herë të tjera, kemi thënë që ne jemi të përfshirë në mekanizmin e Covax, i cili ka në portofol shumë vaksina, pra çfarëdolloj vaksine që do të dalë nga portofoli, ne do të jemi patjetër pjesë e saj dhe për shkak se kemi bërë pagesën do të jemi në dritaren e parë,” shtoi zëvendësministrja.
Ndërsa, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino lidhur me pyetjen e Gazetës “Si” shpjegoi se rasti i infektimit të mjekut Pëllumb Pipero, ka ndodhur gjatë kohës kur mjeku nuk kishte krijuar akoma antitrupa dhe doktori ka qenë i ekspozuar gjatë gjithë kohës nga pacientë.
“Natyrisht ka pasur kontakte dhe me njerëz të tjerë dhe kjo ka qenë arsyeja që ai është riinfektuar dhe ky është një shkak për të theksuar që të gjithë ata që kanë bërë vaksinën, nuk duhet të ulë masat e parandalimit por përkundrazi duhet t’i zbatojnë ato po njëlloj, për vetë faktin se përgjigja e kundërtrupave fillon mbas javës së dytë dhe kjo është arsyeja që dozën e dytë të vaksinës e bëjmë që javën e tretë dhe pas dozës së dytë, gati pas 10 ditëve ose dy javëve krijohet mbrojtja,” shpjegoi Bino.
Sipas ekspertëve nga doza e parë për krijimin e antitrupave do të duhen 5-6 javë që personi të fillojë të jetë i mbrojtur dhe ajo këshillon që personat e vaksinuar përgjatë kësaj kohe duhet të mbajnë maska dhe masat e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.