Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat anti Covid në vend. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se në dy javët e fundit ka një rritje të përqindjes së pozitivitetit dhe të shtrimeve në spital.
Mësimi në universitet do të vijojë që të jetë online deri në një urdhër të dytë.
Ndërkohë fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri në 1 shkurt kur do te kete një tjetër rivlerësim.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendim që të vijojnë të mbeten në fuqi masat e kufizimit të lëvizjes së popullatës, që do të vijojë të jetë nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjithashtu do të vijojë të mbetet kufizimi për pezullimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 22 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Vendimi tjetër që Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë, është mbi mësimin në universitete, i cili do të jetë online deri në një urdhër të dytë", tha Ministrja.
“Kemi rritje të incidencës dy javore duke e krahasuar, 217 raste të reja për 100 mijë banorë në javën të datave 2-15 janar, një rritje me 260 raste në 14 ditët e fundit. Kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki, duke u rritur numri i bashkive nga 44 në 50 ku janë identifikuar raste të prekura. Përsa i perket numrave të pacientëve të shtruar në spitale, përsëri ballafaqohemi me një rritje edhe pse duhet të themi se rritja e numrave në spitale është e qëndrueshme, nuk jemi në një situatë alarmante, por duhet të kemi kujdes të shtuar për të parandaluar çdo rritje të mëtejshme”, tha Manastirliu. Rastet e pacientëve të shtruar në terapi intensive gjithashtu jane ne rritje.
Po ashtu Manastirliu tha se do të vazhdohet me vaksinimin, duke vijuar me mjekët dhe infermierët dhe më pas me radhë të gjithë grupet që janë publikuar tashmë.
"Doza, nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me Pfizer dhe mekanizmit COVAX. Brenda Janarit, sipas kontratës që kemi me Pfizer, mbërrijnë mbi 10 mijë dozat e para të parashikuara, më pas vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar. Ndërkohë javën që vjen, presim një njoftim nga COVAX për kohën e mbërritjes së dozave të para. Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani vaksinën anticovid për rreth 800 mijë qytetarë (1,6 mln doza) nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX, ndërkohë që jemi në negociata të tjera për të patur akoma më shumë sasi të vaksinës”, tha Manastirliu.
E pyetur lidhur me rastin e denoncuar në spitalin COVID2, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi: “Çdo denoncim me fakte na jep ne mundësinë për të pastruar dhe larguar këta çibanë nga sistemi ynë shëndetësor. Unë inkurajoj çdo qytetar apo gazetar investigues, që të denoncojnë dhe t’i shkojnë deri në fund indicieve më të vogla. I siguroj se do të kenë mbështetjen tonë të pakursyer. Kushdo që abuzon me qytetarët do të marrë dënimin që meriton. Unë kam ngritur një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, që do të kryejë një investigim të plotë dhe verifikim të cdo akuze në Covid-2".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.