Pas shifrave alarmante të ditëve të fundit me Covid-19, kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë për menaxhimin e situatës. Ai u shpreh se nëse shifrat e të infektuarve vazhdojnë me këto ritme, mund të kemi rimbyllje.
"Është e kotë të përsëris sesa herë u kam thënë që COVID-i është armik i padukshëm dhe sa shumë u shtuan zërat tuaj se kjo është lojë dhe konspiracion. Atyre me fjalët dhe tubimet rrugëve. Kur vendosëm që të heqim masat dhe të lirojmë. Ishim të qartë se hapja do të sillte edhe rrezikun e harresës, por bëmë gjënë e duhur në kohën e duhur dhe do ta bënim sërish.
Unë isha dhe jam dakord me shumë kënd që kërkonte ditë pas dite kthimin në normalitet duke thënë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar. Kemi zgjedhur rrugën e këshillimit dhe jo të ndëshkimit të bizneseve për t'ia lehtësuar hallin gjithkujt. E kemi ditur dhe thënë se numrat do të rriteshin, gjëra më normale, po u ndodh të gjitha vendeve, ashtu si kundër kam kërkuar të mirëkuptoni nevojën për solidaritet të ri për rregullat.
Ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, për cdo familje dhe burimet e energjisë së rimëkëmbjen. Nëse do të vijojmë kështu, fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe të përballojmë me shumëfish sekëlldinë që provuam kur u mbyllëm dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë. As në mend nuk dua ta coj këtë, pasi kam bindjen se ende e kemi vetë në dorë. Numrat janë shqetësues, por në kontroll, testimet janë rritur", tha Rama.
Kryeministri Rama bëri një paralajmërim kryesisht për forcat politike dhe bizneset.
“Po ju bëj me dije se, e para s’do lejojmë më në asnjë mënyrë asnjë lloj grumbullimi qoftë edhe politik. U them të gjithëve vazhdoni punën, liria e lëvizjes është e garantuar, liria e shprehjes s’ka qenë kurrë e diskutuar, por grumbullime më shumë se sa numri i personave të lejuar nga protokollet nuk do të lejohen më.
Policia duhet dhe do bëjë detyrën, pa bërë më asnjë dallim, kudo qoftë e ndaj kujtdo qoftë.
Kush merr pjesë në grumbullime apo në grupime më të mëdha se sa numrat e lejuar nga protokollet e sigurisë do penalizohet individualisht.
Bizneset që s’do respektojnë protokollet s’do tolerohen më. Dua t’ju kujtoj se përveç gjobave rrezikojnë edhe heqje të lirisë.
Të më ndjeni një mijë herë por kështu jo, nuk vazhdohet më tutje, nëse nuk duam të vrasim me papërgjegjshmërinë e indiferencës ndaj rregullave për t’ja dalë deri në fund kësaj lufte më të moshuarit e më të dobëtit”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.