Kryeministri Edi Rama fjalën e tij në seancën plenare të parlamentit këtë të enjte e orienton të gjithën tek zhvillimet e 24 orëve të fundit në Kosovës, pas njoftimit të akt-akuzës ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Rama thotë se preludi i bërë publik i akt-akuzës ngatërron rolet mes agresorit dhe viktimës, duke vendosur viktimën agresor dhe agresorin viktimë.
“Në atë tekst duket sikur lexon për atdheun e agresorëve dhe jo për vendin e viktimave të agresionit. Ai tekst nuk është akt-akuza në vetvete, por një prelud u pakuptueshëm në aspektin juridik, procedurës si një drejtësi e drejtë. Një prelud mediatik i një procesi që më pas vijon, por që si i tillë ngre një varg pikëpyetjesh, të rënda jo vetëm mbi pastërtinë e udhëheqësve politike, por mbi vetë kauzën e UÇK-së”, tha ai.
Rama përçoi edhe një mesazh të tërthortë në drejtim të Beogradit dhe “mikut” të tij Aleksandër Vuçiç, që mund të mos e presë mirë fjalimin e tij për këtë çështje.
“Del një tekst dhe na vë një shenjë barazimi përfundimtare në raport me një proces të tërë mes viktimës dhe xhelatit. Nëse dikujt, që do të rrudhë buzët në kryeqytetet e botës, kudo qoftë duke marrë transkripitin e fjalëve të mia pse përdora termin “barazi”, ju them që “barazi” është term i butë. Është përmbysur komplet peshorja mes viktimës dhe xhelatit të luftës së Kosovës”, tha Rama.
Prokuroria speciale e Kosovës, me seli në Hagë njoftoi një ditë më parë akt-akuzën ndaj Thaçit, Veselit dhe të tjerëve. Sipas akuzës, ata dyshohen për krime lufte, krime kundër njerëzimit, tortura të ushtruara gjatë dhe pas viteve të luftës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.