Shendet

Listeria tek ushqimet, ekspertët: Bakter që jeton edhe pa oksigjen, transmetimi nga minjtë më i shpeshti

Nga Ina Ahmetaj - Pas lajmit për bllokimin e sallameve "Wudy" nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë reaguar dhe ekspertët e sigurisë ushqimore. Në një prononcim për Gazetasi.al, pedagogu në Universitetin Bujqësor të Tiranës, doktori i shkencave veterinare Gani Moka e konsideron aksionin e AKU dhe njoftimin në media “të fryrë” pasi listeria është një bakter që sot gjendet kudo, në ajër e në tokë, në produkte shtazore, fruta e perime, si dhe në ushqimet e konservuara.

“Listeria është një mikroorganizëm i përhapur në natyrë. Ai është një nga patogjenët më të dëmshëm që mund të shkaktojë sëmundje dhe infeksione të rënda ushqimore. Prandaj është thelbësore të testohen produktet ushqimore dhe mjediset laboratorike për Listeria monocytogenes. Rrjedha e punës së testimit rregullohet nga organizatat ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e konsumatorit”, thotë eksperti i shëndetit të kafshëve, Gani Moka.

Sipas tij, nga listeria sot preken 2 në 1 milionë banorë, por nëse infektohesh është vdekjeprurëse.

“Listeria monocytogenes jeton dhe pa oksigjen. Zinxhiri i transmetimit është nga kafshët e kontaminuara me njëra-tjetrën, ose nga kafshët tek njeriu përmes produkteve që konsumon. Kafshët shtëpiake janë më të shpeshtët që infektohen dhe shkak janë minjtë. Ndodh që kafshë si lopa, delet, hanë ushqim të kontaminuar nga minj të infektuar me listeria dhe nënproduktet si qumështi, mishi kontaminohen po ashtu. Kështu ka ndodhur dhe në rastin e sallamit Wudy”, thotë eksperti Moka.

A duhet të shqetësohemi për sigurinë ushqimore?

Eksperti Moka thotë se zinxhiri ushqimor sot kalon nëpër disa filtra. Sipas tij, janë shtuar kontrollet e sigurisë ushqimore, nga vetë kompanitë por dhe autoritetet.

“Sot janë vetë kompanitë që bëjnë autokontroll dhe ndërkohë ISUV, ISHP, AKU që kryejnë kontrolle periodike.

Nëse rezulton listeria në produkte, janë të detyruara ti asgjësojnë. Nuk mendoj se ka kompani që do të luanin me imazhin e tyre”, thotë pedagogu i UBT, Gani Moka.

Ai bën thirrje që konsumatori shqiptar të shmangë në maksimum konsumimin e qumështit të pa pasterizuar, ushqimet e përpunuara si sallami, kremvicet, salsiçet, ushqimet e ngrira, konservat. Por problem mbeten dhe frutat e perimet që mund të jenë të kontaminuara me listerinë. Sipas tij, vëmendja ndaj ushqimit që konsumohet duhet të jetë i lartë, por në rastin konkret të sallamit "Wudy" nuk ka vend për panik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë