Kombetarja

Lista e Shpresave, Bushi thërret talentin shkodran të Bylisit

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka shpallur sot listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen eliminatore me Kosovën më 15 tetor. Të dyja skuadrat ndodhen në grupin 3, bashkë me Austrinë, Anglinë, Turqinë dhe Andorrën. Në listën e Bushit ka disa të reja, ku veçohet grumbullimi i sulmuesit shkodran, Eridon Qardaku. Ai luan me Bylisin në Superiore dhe në këto javë të para ka spikatur me lojë dhe gola. Për ndeshjen me Kosovën rikthehen në ekip mesfushori dhe kapiteni Sherif Kallaku, si dhe sulmuesi Agim Zeka, i cili luan në Holandë. Bushi ka grumbulluar edhe Brojën e Çelsit, por ky i fundit mund të kalojë edhe në Kombëtaren e madhe.

Nuk figuron emri i portierit Gentian Selmani, që duket se do të jetë sërish pjesë e Kombëtares A. Pjesa tjetër e lojtarëve janë po ata që kanë qenë në ndeshjet e fundit. Në radhët e kuqezinjve të vegjël bëjnë pjesë lojtarë që luajnë me ekipe të njohur në Europë, por edhe elementë të spikatur të kampionatit shqiptar, si Esat Mala i Partizanit, Jorgo Pëllumbi i Skënderbeut, apo Julian Shehu dhe Redon Xhixha të Laçit. Interesant është fakti se dy portierët Romeo Harizaj dhe Elton Vata aktivizohen në Kategorinë e Parë, me Apoloninë dhe Erzenin.

Lista e ekipit Shpresa. Gazeta Si, 3 tetor 2019

Shqipëria U-21 ka zhvilluar 4 ndeshje në grup dhe ka vetëm 2 pikë, kurse Kosova ka luajtur 3 ndeshje dhe ka 6 pikë, që e mbajnë në vend të dytë, pas Austrisë kryesuese. Pavarësisht lojës, skuadra e trajnerit Bushi ka zhgënjyer në rezultate deri tani, duke lënë prapa vetëm Andorrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë