Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit eliminatore për Euro 2020, me Andorrën dhe Francën, që zhvillohen në datat 14 dhe 17 nëntor në Shqipëri. Ka të reja në këtë listë, ku bie në sy mungesa e sulmuesit Sokol Cikalleshi, i cili i shtohet listës së të dëmtuarve, ku bëjnë pjesë edhe Marasha Kumbulla, Armando Sadiku, Amir Abrashi e Mërgim Mavraj. Një mungesë e madhe ajo e sulmuesit kavajas, pasi ai po shënonte në çdo ndeshje me Kombëtaren dhe bashkë me Manajn kishte formuar një dyshe shumë të fortë.
Grumbullohet për herë të parë sulmuesi Florian Kamberi, që aktivizohet me Hibernian në Skoci. Ftesa për këtë futbollit ishte paralajmëruar ditët e fundit, kur ishte bërë me dije se Kamberi kishte zgjedhur Shqipërinë dhe jo Kosovën dhe as Zvicrën. Sulmuesi 24-vjeçar ka luajtur më parë në Zvicër dhe në Gjermani dhe shihet si një lojtar me perspektivë që mund t’i shërbejë fanellës kuqezi.
Rikthehen në Kombëtare Taulant Xhaka dhe Myrto Uzuni, të cilët ishin lënë jashtë për dy ndeshjet e fundit nga trajneri Edi Reja. Edhe këtë herë italiani i stolit kuqezi ka një listë me lojtarë të gatshëm, të cilët mund të thirren në çdo moment, nëse ndonjë nga 26 të grumbulluarit pëson dëmtim gjatë këtyre ditëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.