Politike

Lista e PS me të dhënat e 910 mijë votuesve, Meta: SPAK të hetojë

Dokumenti i selisë së PS me të dhënat konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç (i bërë publik në media) për të cilin PD pretendon se janë marrë nga portali e-Albania është denoncuar të hënën edhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.  

 Ashtu si PD edhe Meta kërkoi që SPAK të hetojë.

“I drejtohem SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit skandaloze, atë të keqpërdorimit dhe vjedhjes nga ana e PS, në çdo lloj forme që kjo ka ndodhur, të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe çdo morali për të vendosur bazën e të dhënave personale të qytetarëve në dispozicion të një force politike që ka kapur shtetin dhe nuk pranon të lërë pushtetin, dhe përdor forma të tilla të poshtra, u bën presion qytetarëve shqiptar me qëllim frikësimin e tyre.

Koha kur shqiptarët kishin frikë nga qeveria ka përfunduar, data e fundit ishte 2 marsi. Qeveria që do të vijë, do të ketë frikë nga populli, askush nuk do të cenojë dhe dhunojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta në një prononcim për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë