Lajme

Shkarkohet Agron Hetoja, ish-drejtori i KESH që u riciklua në krye të AKU-së

Është liruar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Agron Hetoja. Vendimi është marrë në mbledhjen e kësaj të mërkure të qeverisë me propozim të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Sipas njoftimit të ministrisë, ky vendim është marrë në kuadër të procesit të ristrukturimit që do t’i bëhet AKU-së, ndryshimeve ligjore që pritet të kalohen në Parlament dhe gjithë transformimit që do të pësojë institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vend.

Në vend të Hetojës, kreu i ri i këtij institucioni, është emëruar Robert Lili. Lili ka qenë ish-drejtor i OSHEE-së në Gjirokastër.

Zyrtarisht, AKU thotë se vendim është marrë në kuadër të procesit të ristrukturimit që do t’i bëhet autoritetit, ndryshimeve ligjore që pritet të kalohen në Parlament dhe gjithë transformimit që do të pësojë institucioni më i rëndësishëm i sigurisë ushqimore në vend, ku një propozim që qarkullon është shkrirja me Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Agron Hetoja u emërua në krye të AKU-së, më 6 shkurt të këtij viti, një javë pasi ishte shkarkuar nga Belinda Balluku si drejtor i KESH-it.

Ai është përfolur dhe ka qenë në qendër të akuzave për korrupsion me tenderat në krye të këtij institucioni.



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë