Futboll

Lirohet nga burgu, futbollisti akuzohej për trazira në “Pranverën Arabe”


Ish-futbollisti i kombëtares së Bahreinit, Hakim Al-Araibi, mund të buzëqeshë pas 70 ditësh burg në Tajlandë, ku ishte arrestuar teksa ishte me pushime. Ai kishte marrë një dënim në vendin e tij, por Bahreini tashmë e ka tërhequr urdhrin e ekstradimit.

Pas 70 ditësh në arrest me burg në Tailandë, ish-futbollisti i Bahreinit, Hakim Al-Araibi, ka lënë më në fund këtë vend dhe ka fluturuar drejt Australisë. Bahreini ka tërhequr urdhrin e ekstradimit dhe kështu Al-Araibi, i cili kishte bërë xhiron e botës me fotot nga burgu dhe kishte vënë në lëvizje shumë futbollistë dhe federata futbolli, ka rifituar lirinë. Ai akuzohej nga Bahreini se kishte marrë pjesë në trazirat e “Pranverës arabe”, ndërkohë që futbollisti kishte qenë duke luajtur në atë kohë.

Hakim Al-Araibi, gjatë arrestimit në Tajlandë

"Nuk ka arsye për ta mbajtur në burg”, - kanë thënë autoritet tajlandeze, sapo kanë marrë njoftimin zyrtar se nuk ka më urdhër arresti për futbollistin nga Bahreini. Al-Araibi ka marrë menjëherë avionin për të fluturuar drejt Melburnit. Në vitin 2014, Al-Araibi ishte dënuar për pjesëmarrje në lëvizjen antiqeveritare dhe teksa ishte me pushime në Tajlandë, është arrestuar. Tashmë ai ka fituar lirinë dhe i është kthyer jetës normale. Shumë futbollistë, mes tyre edhe mbrojtësi i Juventusit, Xhorxhio Kielini, kishin shprehur solidaritetin e tyre për çështjen e Al-Araibit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë