Sociale

Nga sot lirohen masat kufizuese: Ora policore nis në 22:00

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi dje të lirojë masat kufizuese në vend, duke nisur nga sot, duke zgjatur orën e lejuar policore, nga 20:00, në 22:00.

Në këtë mënyrë, zgjatet me dy orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve, ndërkohë që protokolli i masave anti-Covid për qytetarët, me mbajtjen e detyrueshme të maskës, nuk do të ndryshojë.

Ndërkohë, Komiteti i Ekspertëve, duke analizuar situatën e ditëve të fundit, ka vendosur rihapjen nga sot të fluturimeve me Britaninë e Madhe.

Ky vendim, vjen për shkak të përmirësimit të situatës në shtetin ishullor, që ka qenë shembull edhe në procesin e vaksinimit të popullsisë.

Manastirliu u shpreh se në lirimin e masave, janë marrë parasysh disa faktorë, duke filluar nga ulja e numrit të të infektuarve dhe fataliteteve, fluksit në spitale, por edhe muajin e Ramazanit, që nis në 13 prill.

“Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme me një tendencë në rënie të incidencës, por edhe sa i përket përqindjes në dy javët e fundit, ka qenë me 12%, edhe në shtrimet në spitale ka rënie. Spitali COVID-4 nuk ka të shtruar në 4 ditët e fundit, por është në gatishmëri. Në vlerësim të situatës të 6 javëve të fundit, duke vlerësuar të gjithë indikatorët nga komiteti, është vendosur: të zgjatet ora e lejuar, nga 20:00, në 22:00 nga data e nesërme; zgjatet me 2 orë edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve, - u shpreh ministrja Manastirliu. - Duke marrë në konsideratë përmirësimin në Britani, që ka pasur ecuri në vaksinimin, Komiteti ka propozuar rihapjen e fluturimeve me Britaninë. Qëndrueshmëria e situatës së epidemisë, ka qenë motivi kryesor i këtyre ndryshimeve. Kemi pasur edhe një arsye tjetër që na ka motivuar, lehtësimi i agjërimit për besimtarët myslimanë në muajin e shenjtë të Ramzanit”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë