Futboll

Lionel Mesi vendos rekord, arrin shifrën e 400 golave në Spanjë

Tre gola për të thelluar diferencën me ndjekësit në krye të klasifikimit dhe rekord historik për Lionel Mesin. Nuk kishte si të shkonte më mirë për katalanasit ndeshja me Eibarin, që u mbyll me rezultatin 3-0. Barcelona ka lënë pas humbjen në Kupën e Mbretit me Levanten dhe ka rinisur vrapin në kampionat, duke regjistruar fitoren e gjashtë radhazi, me të veçantën e 18 golave të shënuar dhe vetëm 1 goli të pësuar në këto ndeshje.

Në “Camp Nou” vendosën dygolëshi i Luis Suaresit dhe goli i atij që nuk mund të mungonte kurrsesi në këtë ndeshje, Lionel Mesit. Sulmuesi argjentinas ka firmosur golin numër 400 në La Liga, duke u bërë i pari futbollist që kap këtë shifër. “Pleshti” tashmë ka edhe një rekord të ri në Spanjë, edhe pse për “Marca”-n, që njihet si një gazetë pranë Realit të Madridit, golat e Mesit mbeten 399.

Foto e postuar nga Barcelona në Tuiter, pas golit të Mesit ndaj Eibarit

Suarez zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë. Për më shumë se 50 minuta, skuadra baske e Eibarit mbylli çdo hapësirë për yllin argjentinas, të cilit i ka mjaftuar një rast për të vënë firmën e tij. E majta e tij nuk i la asnjë shans portierit Riesgo: Mesi vendos rekordin personal dhe Eibar ngre “flamurin e bardhë”. Më pas Suarez trefishoi rezultatin dhe Barcelona nuk shpenzoi më energji, por administroi me qetësi lojën deri në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë