Futboll

Lionel Mesi kalon legjendën Pushkash për golat me kombëtaren

Gazeta Si - Për herë të parë në karrierë, Lionel Mesi ka shënuar më shumë gola me Argjentinën se me klubin në fund të sezonit.

Duket e pabesueshme, por ishte një kohë, kur Mesi nuk ishte njësoj te Argjentina dhe të Barcelona. Njerëzit, duke parë diferencën, pyesnin: pse nuk luan edhe tek Argjentina si te Barcelona?

Por vitet e fundit historia ka ndryshuar. Deri në atë pikë sa pyetja është: pse Lionel Mesi i PSG-së nuk është ai i Argjentinës?

Lionel Mesi me fanellën e Argjentinës. Gazeta Si, 9 qershor 2022

Po, sepse lojtari më i mirë i botës gjatë 15 viteve të fundit është një goleador i jashtëzakonshëm. I aftë të realizojë 73 gola në një sezon (2011/12). Gjithmonë produktiviteti i tij te Barcelona ishte i pamundur të realizohej në kombëtare. Mbi të gjitha për shkak të numrit të ndeshjeve me njërën fanellë dhe me tjetrën.

Sezoni i fundit regjistron një të dhënë të paprecedentë. Lionel mesi për herë të parë në 18 vite karrierë si profesionist, e ka mbyllur sezonin me më shumë gola në kombëtare se me klubin, PSG-në.

Sezonin 21/22, i pari larg Barcelonës, numri 10 ka shënuar 11 gola në 34 ndeshje me PSG-në. Ai ka shënuar 6 herë në kampionat dhe 5 herë në Ligën e Kampionëve. Me Argjentinën Lionel Mesi ka shënuar 14 gola në 18 ndeshje.

Nga 34 ndeshjet me PSG-në, 26 kanë qenë në kampionat, 7 në Champions dhe 1 për Kupën e Francës. Me Argjentinën ka luajtur 18 ndeshje, 9 kualifikuese Botërori, 7 në Kupën e Amerikës, 1 ndaj Italisë në “Finalissima” dhe 1 miqësore ndaj Estonisë.

Kuptohet, 5 golat e shënuar në miqësoren e fundit e kanë rritur mesataren. Më parë kishte shënuar 9 gola në 17 ndeshje.

Lionel Mesi, edhe sipas konfirmimit të Argjentinës në Tuiter, ka kaluar legjendën Ferenc Pushkash për numrin e golave të shënuar me fanellën e Kombëtares. Ai ka arritur shifrën e 86 golave me kombëtaren.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë