Art dhe Kulture

Limoz Dizdari i intubuar në spital, Josif Papagjoni tregon takimin e fundit dhe pengjet e kompozitorit

foto e Limoz Dizdarit dhe Josif Papagjonit

Kompozitori i njohur shqiptar, Limos Dizdari është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe gjendet i shtruar në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’, në Tiranë.

Ai ndodhet i intubuar në reanimacion me insufiçencë pulmonare dhe gjendja e tij paraqitet e rëndë.

Miku i tij, kritiku i artit Josif Papagjoni shkruan për takimet e fundit me të dhe pengjet e muzikantit.

Papagjoni, në një postim në rrjetet sociale, shkruan: “Limozi sot është në intubim… I shtruar në një spital në Durrës. Ndoshta në paradhomën e… Mos qoftë!”

Teksa kujton këtë emër të madh të artit shqiptar, ai shkruan dhe për fillesat e tij që në Sarandë, duke nxjerrë në pah pasionin dhe dinamizmin që e karakterizonte dhe rrëfen se si çdokënd e rrëmbente muzika e Dizdarit.

Papagjoni rrëfen për kompozitorin Dizdari se gjithë kohës kishte në kokë projekte, “ëndërronte të ringjallte ansamblin e madh të këngës me orkestër, kor e komplekse; donte të bënte takime zonale të teatrit, estradave, ansambleve”, ndërsa vë në pah mungesën e mbështetjes nga Ministria e Kulturës dhe nga Bashkia Sarandë ndaj tij.

Ndër të tjera, ai tregon shumë për mikun e tij që tashmë ndodhet në luftë me vdekjen, Papagjoni zbulon edhe pse kompozitori nuk shkruante më këngë.

“Një herë i thashë: ‘Pse nuk shkruan Limoz, muzika tënde duhet të jetë sot prijëse, kundër kësaj tallavaje dhe vulgarizimi që po na mbyt’. Ai më pa në sy dhe siç e kish zakon, ma këputi: “Përse të shkruaj, këngë për shalët e zbuluara e të pacipa, për injorantët, për llumin, për rakinë, për rumba-dumblla, për çfarë? Jo! Muzikën sot e kanë bërë llum… llum…”, tregon Papagjoni.

Josif Papagjoni nuk lë pa përmendur edhe fatin e Qendrës se tij kulturore DEA – ish-kinoteatri i Ksamilit.

“Donin t’ia merrnin, ta dëbonin prej andej, se kontrata e lidhur për përdorimin e mjediseve të saj kishte mbaruar. Duke biseduar, edhe duke i qarë hallin sigurisht, unë i thashë: Limoz, përveçse je një artist i shquar, ti ke qenë dhe një personalitet politik i të majtës, deputet, kryetar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve, anëtar i kryesisë së LSI. Ty të duan, të respektojnë. Besoj se ke miq plot, të cilët kanë influencë te PS dhe kryeministri, ua dëgjojnë fjalën. "Te kush, te kush? - më ndërpreu ai. - Vërtet ti beson se unë do t'i lutem atij, te gjatit, se do t'i përulem? Sa gabim po bën, Josif! Nuk e dua këtë këshillë nga ty”, kujton Papagjoni bisedën me të teksa shton se Dizdari gjithmonë thoshte “Unë dua të drejtën time, asgjë më shumë”.

Kompozitori i njohur, Limos Dizdari do të protestonte edhe pranë Kryeministrisë, për të kundërshtuar shkatërrimin dhe kalimin në pronësi të dikujt tjetër pa transparencë, të Qendrës Kulturore “Dea” në Ksamil. Sipas kompozitorit Dizdari, kompania që pretendon se tashmë e ka në pronësi këtë qendër, nuk ka asnjë lidhje me artin e kulturën, ndërsa do t’u bënte thirrje pushtetit qendror e vendor, të merrnin masat dhe t’i rikthenin sërish banorëve qendrën kulturore.

Kompozitori Limoz Dizdari kur protestonte para Kryeministrisë

Papagjoni hedh akuza edhe ndaj qeverisë për padrejtësinë që iu bë kompozitorit për Qendrën DEA.

“I frytshëm vallë është veprimi juaj që atë godinë të bukur me mjedise të qëndisura rreth e rrotull nga dora e Limoz Dizdarit, e quajtur ndryshe QENDRA KULTURORE DEA në Ksamil t'ia hiqni një artisti të madh si ai dhe ajo të bjerë në duart e një organizate a ca njerëzve pa emër, që nuk e dimë ç’do bëjnë nesër me të. A do jetë e tillë, QENDRA DEA nesër apo do kthehet në një mejhane salçicesh e tymi më shumë për të majmur ca zhvatës të ‘institucionalizuar’ sot, por që nesër një zot e di se si mund të ndërrojnë lëkurët”.

Në fund, Papagjoni thotë: “Ia vratë shpirtin, o qeveritarë, ia ndotët muzikën, ia shqyet ëndrrën e bukur që kishte, ia bëtë pis atë strehëz ku ai me siguri do të vijonte që të buisnin zëra dhe tinguj arti... Ia bëtë tallava...”.

Limoz Dizdari ka lindur në 7 shkurt të vitit 1942 në fshatin Rusan të Delvinës. Kompozitori i mirënjohur njihet për vepra simfonike, përpunimin dhe kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare. Ai është edhe kompozitor i muzikës së shumë filmave.

Nga kompozimet më të mira të Limoz Dizdarit ishin “Shirat e vjeshtës”, “Këputa një gjethe dafine”, “Udhët e atdheut më thërrasin”, të vlerësuara me çmime të para.

Ai ka kompozuar këngë-kantata të rralla në filmat “Malet me blerim mbuluar”, “Rrugë të bardha”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin '36”, “Qortimet e vjeshtës", “Përrallë nga e kaluara”.

Ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për dy mandate gjithashtu ka qenë edhe Deputet në Kuvendin Shqiptar (2001-2005). Për meritat e tij artistike Limoz Dizdari është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”.

Dizdari dhe vajza e tij denoncuan publikisht mbylljen e qendrës kulturore ‘Dea’ në Ksamil. Më pas, ata u zhvendosën në Durrës, pasi u kërcënuan dy herë përmes letrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë