Kombetarja

Lilaj e pranon: E vështirë, kur ka shumë lëvizje në formacion


Ishte radha e Sabjen Lilajt dhe Enis Gavazajt, dy ish-lojtarëve të Skënderbeut, për të dalë në konferencën për shtyp të Kombëtares para ndeshjes me Skocinë në Ligën e Kombeve. Futbollisti korçar, që në verë kaloi në Azerbajxhan, te Gabala, është munduar të tregojë arsyet pse Shqipëria u mund në Skoci dhe në Izrael:

“Liga e Kombeve është një kompeticion që zëvendëson ndeshjet miqësore. Janë përgatitje për kualifikueset e Europianit, por çdo ndeshje e Kombëtares është e rëndësishme dhe çdo lojtar duhet të tregojë vlerat e tij. Rezultatet ndikojnë në frymën e grupit. Ishte një mundësi për të shkuar në Europian, por është shumë e vështirë. Shpresojmë që këto ndeshje të na kenë forcuar si grup. Skocia? Goli i parë ishte në pozicion jashtë loje. Në Izrael u shpërqendruam në një moment dhe e pësuam. Nuk është se nuk jemi impenjuar, sepse nuk e kemi luksin t’i marrim lehtë ndeshjet.

Kombëtarja në stërvitje

Te Shqipëria ka pasur shumë lëvizje dhe nuk është se kemi kualitete të mëdha. Nëse luajmë si grup, mund të jemi të fortë. Lojtarët ndërrohen shpesh dhe kështu është e vështirë edhe për grupin. Formacionin e vendos trajneri dhe nuk e themi ne lojtarët pse nuk luajmë me një formacion fiks. Shpresoj ta kemi shumë shpejt një formacion stabël. Kemi punuar për gjuajtjet në portë, por edhe skema duhet të përshtatet që të jemi pranë portës. Pastaj, goli është edhe fat. Balaj, për shembull, ka pasur 3-4 raste dhe nuk ka shënuar. Nëse fitojmë me Skocinë, gjithçka është në rregull”, – tha Lilaj.

Gavazaj takohet me Grezdën dhe Mavrajn 

Pas korçarit ka folur Enis Gavazaj, i cili ka pohuar se në Kombëtare të çon vetëm puna dhe angazhimi, jo fakti që luan në një kampionat të huaj: “Trajneri na ka folur për ndeshjen e shkuar me Skocinë, ku luajtëm mirë dhe patëm raste, por vetëm fati nuk ishte me ne. Detyrat mbrojtëse? Ne luajtëm me skemën 3-5-2, që nuk është shumë mbrojtëse. Në futbollin modern duhet t’i bësh të dyja, si lojën mbrojtëse, ashtu edhe atë sulmuese. Vetëm lojtarët e kampionateve të huaja në Kombëtare? Jo, edhe kur unë isha te Skënderbeu dhe Abazaj te Luftëtari, kishim mundësi të vinin në Kombëtare. Vetëm me punë dhe angazhim maksimal mund të shkosh në ekipin kombëtar. Në kampionatin shqiptar nuk është niveli i ulët, ndoshta ritmi është pak më i ulët se në kampionatet e tjera. Është një kampionat i mirë dhe kompetitiv, sidomos vitin e kaluar, kur ishim edhe në Ligën e Europës. Në ndeshjen miqësore me Jordaninë luajtëm 3-5-2. Nëse trajneri mendon ashtu, ok, por nëse ai mendon një skemë tjetër, mund të përshtatemi me atë që ai kërkon”, – theksoi Gavazaj.

Shqipëria kërkon fitoren e dytë në grup për të shkuar në kuotën e 6 pikëve dhe për të pritur më pas ndeshjen e fundit mes Skocisë deh Izraelit. Ka një mundësi që të tre ekipet të bëhen me 6 pikë, por kuqezinjtë, edhe nëse fitojnë me Skocinë në “Loro Boriçi”, kanë pak shanse për vendin e parë, sepse kanë golaverazh negativ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë