Kosova

Lihet në paraburgim ish-ushtari i UÇK Hasan Dakaj, i akuzuar nga Serbia për krime lufte

Gazeta Si – Lihet në paraburgim ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, i arrestuar nga autoritetet serbe ditën e premte në Merdarë. Atij iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji në Serbi.

Lajmi është konfirmuar për KosovaPress nga avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi, i cili tha po ashtu se do të ushtrohet e drejta për ankesë.

“Ai ndodhet në Beograd, në qendrën e paraburgimit. Mbrëmë vonë unë kam marrë informacion nga avokati i caktuar nga shteti serb që i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe tash ka me ushtruar ankesë”, - ka deklaruar avokati. Prokuroria serbe pretendon se Hasan Dakaj, nga Prizreni, ka kryer krime lufte në vitin 1999, kur ai ishte 19 vjeç.

Ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që ka dalë me një deklaratë, duke thënë se kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-ve dhe atë të Britanisë së Madhe.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.

MPJD thotë se dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, - thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë