Kombetarja

Liga e Kombeve/ Rraklli analizon grupin: Të parët vetëm në letër

Optimizmi për vendin e parë në grup pas hedhjes së shortit të Ligës së Kombeve, është i madh nga të gjithë faktorët kuqezi. Presidenti Armand Duka dhe trajneri Edi Reja kanë pranuar hapur se Shqipëria ka shanse për t’u kualifikuar në raundin tjetër, për të kaluar në Ligën B. Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani duken kundërshtarë të kalueshëm. Por asgjë nuk mund merret e sigurt, sepse janë vetëm 6 ndeshje që luhen në një kohë të shkurtër dhe nuk duhet bërë asnjë gabim.

Ish-futbollisti i Kombëtares, Altin Rraklli, në një analizë të shkurtër për Gazeta Si, thekson se kuqezinjtë nisen favoritë, por pohon se janë tre elementë që do të vendosin: sa i plotë do të jetë grupi, çfarë gjendje do kenë lojtarët në atë periudhë dhe çfarë shkalle angazhimi do të shfaqin ata në fushë.

Altin Rraklli, ish-sulmues i Kombëtares. Gazeta Si, 5 mars 2020

“Duke i parë tre kundërshtarët, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Luituaninë, në letër Shqipëria është favorite, por janë disa faktorë që ndikojnë pastaj. Për shembull, ka shumë rëndësi që skuadra jonë të jetë e plotë në çdo ndeshje, me çdo kundërshtar. Po ashtu, kryesorja është se në ç’gjendje do të jenë dhe sa minuta do të kenë me ekipet e tyre lojtarët e Kombëtares sonë. Nëse do të jemi në gjendje optimale në këto dy aspekte, them se do të jemi të parët në grup.

Ka rëndësi edhe shkalla e impenjimit, sepse ne kemi treguar se na kanë marrë pikë edhe skuadra më të dobëta së këto që kemi tani në grup. Patjetër që kërkohet angazhim absolut në çdo ndeshje. Duhet pasur parasysh se sot të gjithë ekipet bëhen të vështirë, nëse ti nuk je në 100%-shin tënd sa i takon impenjimit në fushë”, - thotë për Gazeta Si ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli.

Veçoritë e tre kundërshtarëve? “Kanë trashëguar diçka nga karakteristikat e futbollit rus, patjetër. Janë kundërshtarë që fizikun e kanë “armën” e tyre kryesore mendoj. Shqipëria duhet të jetë e përgatitur për të përballuar skuadra të forta fizikisht”, - ka përfunduar kavajasi, autor i 11 golave me fanellën e Kombëtares, ku ka luajtur nga viti 1992 deri në 2005-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë