Kombetarja

Liga e Kombeve/ Duka dhe Reja duan vendin e parë, kalendari favorizon

Ishte një short me fat për Shqipërinë në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë “peshkuan” Bjellorusinë, Kazakistanit dhe Lituaninë. Tri skuadra të kalueshme në Ligën C, ku Shqipëria ka shanse reale për të zënë vendin e parë, për t’u kualifikuar në raundin tjetër dhe për të kaluar në Ligën B.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i pranishëm në short bashkë me sekretarin Ilir Shulku, pasi mësoi kundërshtarët, u shpreh: “Shorti nuk ishte i keq, por programi është i ngjeshur, sepse luhet çdo tri ditë dhe kemi transferta të largëta. Objektivi është të dalim të parët dhe të ngjitemi në Ligën B. Nuk ka skuadra të lehta dhe duhet të përgatitemi mirë. Konsideruam të lehtë me Andorrën, por barazuam në fund të eliminatoreve. Kosova? Nuk dëshiroja të përplaseshim me të, e kam thënë edhe para shortit. Shqiptarët më mirë të ndiejnë dy herë emocione se të përplasen me njëri-tjetrin. Shqipëria do të vazhdojë me të njëjtin staf teknik, e kemi firmosur kontratën”.

Trajneri Reja gjatë një seance stërvitore me ekipin. Gazeta Si, 4 mars 2020

Mungoi në ceremoninë e hedhjes së shortit në Amsterdam trajneri Edi Reja, të cilit iu anulua fluturimi nga Italia drejt Holandës. Edhe italiani i kuqezinjve, ashtu si Duka, ka pranuar se shorti është favorizues dhe se do të synohet vendi i parë. ”Është një short i mirë. Skuadrat kundërshtare kanë vlera, por më duhet të nënvizoj se bëhet fjalë për transferta shumë të largëta, ky është problemi kryesor. Në grupin tonë mund të ketë edhe ndonjë surprizë. Do ishte mirë që në tetor të kishim dy ndeshje në fushën tonë dhe jo dy transferta, për shkak të klimës. Objektivi? Do të luajmë për të dalë të parët. Gjithçka varet nga forma e skuadrave. Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani janë skuadra që duhet t’i marrim në konsideratë. Duhet t’i përballojmë me mentalitetin e duhur, duhet më e mira në secilën ndeshje”, - ka thënë trajneri Reja për “Panorama Sport”.

Kuqezinjtë do të luajnë 6 ndeshje, që nisin me transfertën me Bjellorusinë më 4 shtator. Ndeshja e parë në shtëpi është ndaj Lituanisë tri ditë më pas. Në tetor kuqezinjtë luajnë dy ndeshje jashtë fushe, në Kazakistan dhe në Lituani, për ta mbyllur në nëntor me dy ndeshjet brenda ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Të dyja ndeshjet e fundit luhen në shtëpi dhe Shqipëria mund ta shfrytëzojë këtë shans për ta mbyllur e para dhe për t’u kualifikuar për në fazën tjetër e për të pretenduar Botërorin nëpërmjet këtij kompeticioni.

Kalendari i ndeshjeve në Ligën e Kombeve
4 shtator 2020 - Bjellorusi-Shqipëri
7 shtator 2020 - Shqipëri-Lituani
10 tetor 2020 - Kazakistan-Shqipëri
13 tetor 2020 - Lituani-Shqipëri
12 nëntor 2020 - Shqipëri-Kazakistan
15 nëntor 2020 - Shqipëri-Bjellorusi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë