Futboll

Liga e futbollit presion qeverisë, rrezikohet shtyrja e kampionatit

Futbolli shqiptar është në ditët e tij më kritike. Zyrtarisht duhen edhe pak ditë nga fillimi i kampionatit kombëtar në edicionin e tij të 81-të, por në ekipet pjesëmarrëse në Superligë, situata është kaotike.

Gjysma e ekipeve të Superligës janë me probleme të mëdha financiar, borxhe dhe lojtarë të papaguar nga sezonet e shkuara e kanë bërë situatën në këto klube shumë kritike. Luftëtari dhe Skënderbeu duken ekipet më të rrezikuara, por edhe Flamurtari, Vllaznia dhe Tirana nuk janë më komode në këtë aspekt.

Nisur nga kjo situatë e zymtë në prag të fillimit të kampionatit, në ambientet e FSHF-së sot është mbajtur një takim i Ligës Profesioniste të Futbollit. Edhe pse kanë marrë pjesë vetëm gjysma e drejtuesve të ekipeve të Superligës, nga kjo mbledhje janë bërë diskutime për atë që do të bëhet me futbollin shqiptar në vijim.

“Presim paketën ligjore nga qeveria dhe nëse vendimet aty nuk përputhen me kërkesat tona do të shohim si do veprojmë. Shtyrja e kampionatit është një opsion, por gjithsesi, duhet të presim draftin e qeverisë, gjatë këtyre ditëve, që më pas të dalim me vendimin tonë”, tha zv/presidenti i FSHF, Edvin Libohova.

Të pranishëm në mbledhjen e Ligës Profesioniste ishin presidentët e Teutës, Laçit, Tiranës, Bylisit dhe juristi i Partizanit. Drejtuesit e pesë nga dhjetë klubeve elitare, ku mungonin Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari, Vllaznia dhe Luftëtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë