Futboll

Liga e Europës/ Xhaka me 5 yje, Strakosha bën gafë në Rumani

Championsi ia ka lënë vendin Ligës së Europës të enjten në mbrëmje, kur janë luajtur ndeshjet e para në grup. Ka një pjesëmarrje më të gjerë në këtë kompeticion, ku janë 12 grupe me nga 4 skuadra. Në të marrin pjesë edhe skuadra me emër të futbollit europian që jemi mësuar t’i shohim në Champions, si Mançester Junajtid, Arsenal, Roma, Sevilja, PSV Einthoven, Sporting Lisbonë e të tjera.

Thuajse të gjitha skuadrat e mëdha bënë detyrën. Arsenali fitoi bindshëm në fushën e Eintraht Frankurtit, 0-3. Me të njëjtin rezultat Sevilja fitoi në Azerbajxhan ndaj Karabaghut, ndërsa Roma shkatërroi turqit e Bashakshehirit me rezultatin 4-0. Mund të veçohet vetëm humbja e Borusia Mënshegldabah në fushën e saj ndaj austriakëve të Volsfberger, 0-4. Një rezultat krejtësisht i paparashikueshëm për një ekip me emër në Gjermani.

Xhaka feston fitoren e Bazelit ndaj Krasnodarit. Gazeta Si, 20 shtator 2019

Dy futbollistë kuqezi ishin titullarë me skuadrat e tyre në Ligën e Europës. Taulant Xhaka luajti 90 minuta në fitoren e thellë 5-0 të Bazelit ndaj rusëve të Krasnodarit. Një paraqitje shumë e mirë e mesfushorit kuqezi, me “5 yje”. Xhaka luajti në qendër të mesfushës në këtë ndeshje, duke qenë protagonist në fitoren e thellë të zviceranëve. Keq kanë shkuar punët për portierin Tomas Strakosha dhe Lacion e tij, që u mundën 2-1 në fushën e rumunëve të Kluzhit. Golin e parë portieri kuqezi e pësoi nga pika e bardhë e penalltisë dhe nuk mund të fajësohet, por në golin e dytë të Kluzhit bëri një gafë, duke dalë huq. Ishte një mungesë komunikimi me mbrojtësin Bastos dhe për një portier kalibri si Strakosha është e pafalshme. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 5.5 pikërisht për këtë gafë. Një paraqitje të mirë bëri Valon Berisha, i vlerësuar me notën 6.

Rezultatet e ndeshjeve të para në grup të Ligës së Europës. Gazeta Si, 20 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë