Futboll

Liga e Europës, tri skuadra shqiptare në “misionin e pamundur”

Është radha e Kukësit, Laçit dhe Teutës për të përfaqësuar Shqipërinë sot në kompeticionet europiane. Pas barazimit të Partizanit në Ligën e Kampionëve ndaj azerëve të Karabagut, këto tri skuadra përballen me kundërshtarë shumë të vështirë në turin e parë eliminator të Ligës së Europës. Në letër konsiderohet “mision i pamundur” fitorja e mundshme e Laçit kundër Hapoel Ber Shevas së Izraelit, Kukësit kundër hungarezëve të Debrecenit dhe Teutës kundër letonezëve të Ventspils.

Laçi i trajnerit Sulejman Starova është i vetmi ekip që sot luan në fushën e tij. Ndeshja nis në orën 17:30, në stadiumin e Laçit, ku favorit absolut është ekipi i Hapoel Ber Shevës. Laçi ka bërë pak ndryshime në grupin e lojtarëve, duke forcuar sulmin me dy lojtarë të huaj. Falë shpirtit të garës që e karakterizon këtë ekip, shpresohet për një barazim nga ana e kurbinasve, të cilët synojnë t’i lënë llogaritë të hapura për ndeshjen e kthimit në Izrael.

Teuta në st‰rvitje

E para zbret në fushë Teuta, që luan në Letoni, në orën 16:45, ndaj një skuadre të njohur për shqiptarët. Durrsakët përballen me Ventspilsin, që një vit më parë eliminoi Luftëtarin në ato dy ndeshje të dyshimta, që më pas u hetuan për shitje. Teuta ka mbajtur në stol trajnerin Bledi Shkëmbi, por ka bërë shumë lëvizje në formacion, ndaj mbetet për t’u parë si do të sillet sot në fushë ndaj një kundërshtari europian.

Shpresat më të mëdha për kualifikim nga tri skuadrat shqiptare duket se i ka Kukësi, që në orën 19:00 luan në fushën e Debrecenit. Edhe në këtë rast favoritë janë hungarezët, por Kukësi duket ekipi me më shumë kualitet nga shqiptarët në Ligën e Europës. Në të tilla kompeticione, është e rëndësishme të mos pësosh gol në ndeshjen e parë për ta lënë kualifikimi në hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë