Ngjarje

Lëvizja e frymëzuar nga 16-vjeçarja Thunberg – Nxënësit e 100 shteteve në protestë për klimën

Greva ndaj ngrohjes globale dhe ndryshimeve të shpeshta klimaterike, e frymëzuar nga adoleshentja suedeze Greta Thunberg, po sfidon qeveritarët në mbarë botën.
Qindra mijëra fëmijë në mbarë botën anuluan mësimin sot dhe dolën nëpër rrugë duke protestuar ndaj dyshimeve se politikanët nuk kanë vullnet ta trajtojnë krizën klimaterike në planet.
Shumë fëmijë në shkollat e 100 vendeve të ndryshme, morën pjesë në grevën që filloi vitin e kaluar, kur adoleshentja Greta Thungerg, mbajti protestë e vetme përballë parlamentit suedez. Që prej saj kohe protesta për klimën dhe mjedisin u përçua në çdo kontinent. Greva e sotme kishte një pjesëmarrje të madhe, për të treguar se duhen marrë masa emergjente për ngrohjen globale dhe ndryshimet e papritura klimaterike.

Amnesty International ka paralajmëruar se dështimi i qeverive botërore, për të trajtuar krizën klimaterike është një ndër shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Kumi Naidoo, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International, shprehet se është për të ardhur keq, që fëmijët duhet të sakrifikojnë ditët e mësimi në shkollë, për t’u kërkuar të rriturve që të bëjnë gjënë e duhur.

“Ata i njohin pasojat e mosveprimit të tyre si për veten, edhe për brezat e ardhshëm. Ky duhet të jetë një moment për vetë reflektim, nga të gjitha klasat politike,” shprehet ai.
Të rinjtë marshuan sot nëpër rrugët e qyteteve të ndryshme nga çdo kontinent. Në Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 10.000 fëmijë, anuluan mësimin muajin e kaluar dhe organizatorët thanë se ngjarja e sotme ishte më e madhe, duke përfshirë pjesën më të madhe të shkollave në të gjithë vendin.
Anna Taylor, 17 vjeçarja që organizoi grevën e nxënësve në Mbretërinë e Bashkuar, tha se të rinjtë në vendin e saj janë shumë të zemëruar nga “heshtja” e qeverisë.
“Ata që janë në pushtet, jo vetëm na gënjejnë dhe na vjedhin të ardhmen tonë, por janë përgjegjës për ngrohjen globale që po ndikon në të gjithë botën,” shton ajo.
Taylor tha se ajo e ndjen për detyrë të veprojë jo vetëm për qytetarët e saj, por për të gjithë. Në Skoci, pati tubime njerëzish jashtë parlamentit skocez në Edinburg. Ndërsa, një ndër protestuesit më të njohur në Britaninë e Madhe, 13-vjeçari Holly Gillibrand u shpreh se protesta ishte mbresëlënëse.

I pyetur nëse ndjehet optimist për potencialin e protestës së sotme, Gillibrand u përgjigj: “Nuk do të thoja se optimizëm është fjala e duhur. Kjo lëvizje tregon se ka mijëra studentë që kujdesen për mjedisin dhe janë të gatshëm të humbin shkollën, për t’u kërkuar politikanëve të marrin masa për të shpëtuar botën.”
Meabh Mackenie, e nisi organizimin e protestës me 30 nxënës të tjerë, nga shkolla fillore Daliburgh në ishullin e Uist, me qëllim solidarizimin me komunitetet e tjera. 11-vjeçari u shpreh, se ndan me të tjerët atë që beson.
“Uist është një ndër gjërat që dua më shumë dhe nuk mund të lejoj që të shkatërrohet. Unë mendoj se të gjitha protestat në mbarë botën, do t'u bëjnë të ditur politikanëve dhe ligjvënësve se duhet të bëjnë diçka për shkak se klima nuk është më në listën e prioriteteve. Ata po diskutojnë për gjëra të tjera si Brexit, por ne kemi nevojë që ata të veprojnë fillimisht për ndryshimin e klimës,” shtoi ai
Gjithashtu, mijëra punëtorë në Belgjikë iu bashkuan protestës së nxënësve, përpara se të udhëtojnë për në Bruksel për protestën e madhe.
Gina Heyrman, një zëdhënëse e sindikatës së punojësve, ABVV-FGTB që përfshin 1.6 milionë punojës, tha se kjo është hera e parë që bota ka pasur një grevë politike nga të rinjtë.


“Ndoshta ne jemi në fillim të një epoke të re. Të gjithë flasin për klimën tani. Gjithkush është në dijeni për protestat që po behën për klimën, vetëm falë studentëve,” shton ajo.
Një vit më parë , Thunberg mbajti një fjalim përpara politikanëve dhe sipërmarrësve miliarderë në Davos, ku u shpreh se nuk do të ishte optimiste, por donte që ata të ndjenin të njëjtin panik si ajo.

“Unë dua që ju të ndjeni frikën që ndjej unë çdo ditë, në mënyrë që të veproni,” u shpreh 16 vjeçarja.

Ajo filloi protestën e vetme gushtin e vitit të kaluar, por që atëherë ka frymëzuar studentët anembanë globit. Deputeti norvegjez, Freddy Andre, u shpreh se adoleshentja ka zhvilluar një lëvizje të madhe dhe duhet të jetë kandidate për çmimin Nobel. Politikanët dhe profesorë të universiteteve mund të propozojnë, kandidatë për çmimin Nobel të Paqes që do të zgjidhen në dhjetorin e këtij viti.
Ndërsa, Greta shkroi në rrjetin social Twitter, ditën e djeshme së ishte shumë mirënjohëse për këtë emërim dhe i’u bëri thirrje të gjithë studentëve, për të protestuar. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë