Shendet

Leverdia e frikshme e ‘One-night stand’

Nga Gazeta Si - Ajo është 23-vjeç, por nga shtati i imët nuk jep më shumë se 16-17-vjeç.

Eni është punonjëse në një nga Call Center-at më të njohur në Tiranë (sapo e ka fituar vendin e punës) dhe zotëron shumë mirë anglishten. Gjuha e huaj e ka ndihmuar që adoleshente të lundrojë në internet e madje dhe të krijojë shoqëri.

Madje me ta del dhe mbrëmjeve disa herë në javë në pub-et e kryeqytetit.

Eni thotë se djalin me të cilin u takua të shtunën e kaluar e njohu në “Tinder”, faqe e njohur ku krijohen raporte shoqërore apo seksuale me të rritur.

Ai është suedez dhe në Tiranë ka ardhur për një shërbim pune.

“Pasi kemi folur në Tinder, kur erdhi në Tiranë e takova. Një ditë më bëri ftesë për të dalë në mbrëmje dhe u takuam në një nga pub-et që ofron muzikë live. Ndenjëm deri vonë duke pirë alkool e më pas shkuam në shtëpinë e tij me qira. Në mëngjes jam kthyer në shtëpi”, tregon Eni.

Edhe shoqen e saj të re, një striptiste 18-vjeçare nga Elbasani, e ka njohur në Facebook.

Nëse e pyet a ka ndonjë bashkëmoshatar të saj apo koleg pune me të cilën ka krijuar miqësi, Eni thotë jo.

“Me të njohurit në internet jam më e sigurt. Si natyrë jam e ndrojtur ndaj të huajt që njoh në Tinder më japin më shumë siguri”, thotë ajo.

Por liria e sjelljeve seksuale tek grupmosha 15-24 vjeç është në të shumtën e rasteve dhe shkak për shtatzënitë e padëshiruara.

Shoqërimi me persona të panjohur, marrëdhëniet seksuale nën efektin e alkoolit apo substancave që shkaktojnë mpirje të trurit dhe humbje të kontrollit rrezikojnë vajzat të bëhen lehtë pre e abuzimeve.

Mjekët kanë pohuar më herët për Gazetasi.al se sëmundjet seksualisht të transmetueshme janë shtuar së fundmi dhe diçka e tillë lidhet me kryesisht me kryerjen e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.

Gjithashtu, pas një periudhe të gjatë të zhdukjes së sifilizit në Shqipëri, ai u rishfaq në vitet ’90 dhe që atëherë numri i rasteve ka ardhur duke u rritur.

Shqipëria mbetet gjithashtu edhe një vend me prevalencë të ndërmjetme deri në të lartë të Hepatit B, sëmundje që mund të merret me anë të marrëdhënieve të pambrojtura, përdorimit të lartë të alkoolit dhe drograve.

“Pas pub-it përfundova në shtëpinë e tij. Mbaj mend se kam pirë shumë alkool, kokteil alkooli dhe në mëngjes e kam parë veten në një dhomë, me një të panjohur”, thotë Eni.

Jeta e natës dhe risqet e saj

Në pavionin e toksikologjisë në QSUT, në urgjencë shkojnë shpesh të rinj adoleshentë që kanë konsumuar shumë alkool apo substanca si diazepam apo valium, Xanax si dhe lorazepam, që u hidhen në pije për t'i bllokuar ndjesitë në sistemin nervor qendror.

Shefi i pavionit të Toksikologjisë Andrin Tahiri thotë për Gazetasi.al se në urgjencë paraqiten shpesh adoleshentë me probleme në shëndet, si marrje mendsh, të vjella, gjendje të fikëti, që vijnë si pasojë e konsumimit të medikamenteve si diazepami që blihen kaq lehtë në farmaci.

Tahiri tregon edhe rastin më të fundit ku një grup adoleshentësh 17-vjeçarë nga Lezha erdhën në gjendje jo të mirë shëndetësore si pasojë e konsumit të këtyre substancave.

“Shqetësim mbetet konsumi i substancave të tilla që vajzat të çlirohen, të heqin drojën për të krijuar afeksion, marrëdhënie të lirë me djemtë e panjohur”, thotë Tahiri i cili shton se rreziku më i madh është kur qëllimi për pirjen e këtyre substancave lidhet me abuzimet seksuale dhe përdhunimet që ndodhin jo pak raste kur konsumohen medikamente që përzihen me alkool.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë