Futboll

Levandovski nuk rinovon me Bajernin, do vetëm Barcelonën

Gazeta Si - Në Gjermani janë të sigurt, Robert Levandovski do të largohet nga Bajerni. Sulmuesi polak do t’u thotë lamtumirë bavarezëve, ndërsa e ardhmja e tij lidhet me Barcelonën.

Pas 8 sezonesh, 18 trofesh të fituar dhe 343 golsh në 374 ndeshje të luajtura, Robert Levandovski vendos të largohet nga Bajerni. Sipas asaj që bën me dije ‘Bild’, bomberi polak ia ka komunikuar klubit bavarez vendimin për të mos rinovuar.

Kontrata e sulmuesit skadon në vitin 2023, por 34-vjeçari kërkon të provojë një aventurë të re. Dhe kjo aventurë është Barcelona në Spanjë, ku Levandovski parapëlqen të luajë. Sipas “Sport”, polaku po bën presing që Bajerni ta shesë që këtë verë.

Robert Levandovski. Gazeta Si, 13 maj 2022

Vullneti i lojtarit është i qartë, edhe i Barcelonës po ashtu. Klubi gjerman është gati ta mbajë edhe për një vit, edhe pse mund ta humbasë me parametra zero. Bajerni nuk do ta shesë lojtarin për më pak se 35 milionë euro.

Një vendim që vjen edhe për faktin se nuk u bë e mundur blerja e Erling Haland, tashmë një lojtar i Mançester Sitit. Norvegjezi duket se ka pasur një ndikim thelbësor në vendimin e polakut. Levandovski duket se nuk e ka pritur aspak mirë faktin që bavarezët tentuan të firmosnin me Haland pak kohë më parë.

Kështu, duket se ne verë do të jetë një mundje e fortë dore. Robert Levandovski nga njëra anë dhe Bajerni në anën tjetër.

Levandovski në njëdyluftim ajror me Kumbullën. Gazeta Si, 13 maj 2022

"Nuk ka asgjë për të thënë, në asnjë drejtim. Dëshira ime është e njëjtë, dua vërtet ta mbaj sulmuesin dhe të zgjat kontratën me të", - ka thënë trajneri i bavarezëve, Nagelsman, duke iu referuar çështjes së polakut.

Levandovski duket i vendosur për të veshur fanellën e Barcelonës. Katalanasit janë pista më e mundshme e tij, duke parë lëvizjet e tjera. Me Haland te Mançester Siti dhe kalimin e mundshëm të Mbape te Reali, Barcelona do të shtyjë fort për sulmuesin polak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë