Futboll

Lerda në gjurmët e Iulianos, vetëm fitorja në derbi e shpëton

Franko Lerda është në gjurmët e patriotit të tij, Mark Iuliano. Dy sezone më parë, ish-lojtari i Juventusit nuk arriti kurrë të tregonte asgjë të veçantë në stolin e Partizanit dhe u largua bashkë me stafin dhe shumë lojtarë që i kishte sjellë me vete. Lerda, në fakt, ka treguar disa gjëra nga ana profesionale, por duket se e ka të vështirë të administrojë grupin e kuq dhe largimi i tij është çështje kohe. Italiani, një tip i vështirë (konflikt me ndihmësit që në ditët e para, më pas edhe me disa lojtarë), nuk po arrin ta menaxhojë si duhet ekipin kampion.

Nga klubi i kuq kishte një ultimatum të heshtur për dy ndeshje, me Bylisin dhe Tiranën. Me Bylisin Partizani barazoi 1-1, megjithatë nuk pati ndonjë vendim të menjëhershëm nga drejtuesit e tij. Fakt është që te Partizani nuk kanë një plan B për stolin në këtë moment. Drejtuesve nuk ua mbush syrin asnjë alternativë për pasuesin e Lerdës. Ndonjë trajner që ata do ta donin ta kishin në krye të skuadrës, aktualisht është i angazhuar. Megjithatë, kjo nuk e bën imun trajnerin italian të të kuqve, Franko Lerda. Të ardhmen e tij e vendos derbi me Tiranën, që zhvillohet në fundjavë.

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, duke folur me lojtarët gjatë një ndeshjeje. Gazeta Si, 25 shtator 2019

Në derbi nuk bën punë as barazimi. Vetëm fitorja do ta mbante në punë Lerdën, me shumë gjasa përkohësisht, sepse bashkëjetesa mes tij dhe Partizanit është një nga më të vështirat. Madje, në klubin e kuq duket se janë bërë pishman për këtë zgjedhje. Ka zëra për ndërhyrje të drejtorit të përgjithshëm Olsi Rama në ekip, për çështje teknike, por gjithçka është në kuadrin e thashethemeve. Ajo që kuptohet lehtë është se Partizani i fushës nuk është ai sezonit të kaluar. Duke lënë mënjanë anën tekniko-taktike, bie në sy fakti se futbollistët nuk kanë të njëjtin entuziazëm dhe dëshirë. Ndoshta dikujt i është ngritur mendja për të luajtur jashtë vendit dhe nuk jep atë që duhet në fushë. Në këto kushte, i takon trajnerit të vërë rregull dhe t’i motivojë të tijtë. Dhe Lerda nuk duket personi adapt për ta bërë këtë gjë.

Në 5 javë kampionat, Partizani ka shpërdoruar shumë pikë. Ka pësuar 2 humbje dhe ka barazuar në shtëpi me Bylisin. Mban vendin e 6-të me 7 pikë. Nuk është se kreu është shumë larg, vetëm 3 pikë, por treguesit e të kuqve në këto 5 javë janë dëshpërues. Partizani ka shënuar vetëm 3 gola, ndaj Bylisit, Luftëtarit dhe Flamurtarit. Më pak se të kuqtë ka shënuar vetëm Vllaznia, 1 gol. Gjendja psikologjike në prag të derbit nuk është ajo më e mira, megjithatë një ekip i madh e tregon veten në momente delikate. Nëse edhe këtë fundjavë asgjë nuk ndryshon, me siguri Lerda do t’ia lërë vendin dikujt tjetër. Mund të mos jetë ai fajtori i vetëm, por në të tilla raste në futboll “paguan” gjithmonë trajneri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë