Futboll

Lerda beson te e pamundura në Moldavi: Kemi optimizëm dhe shpresë

Në ndeshjen e parë, Partizani humbi 2-0 në “Selman Stërmasi”, por ky rezultat nuk e bën aspak pesimist trajnerin e Franko Lerda në shpresat që ka për kaluar këtë tur të dytë në Europa League. Në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes, tekniku italian shprehu besimin se me një lojë të mirë dhe me pak fat, mund të arrihet mrekullia.

Duke vlerësuar kundërshtarin, numri një i pankinës së Partizanit tha se skuadra e tij është përgatitur këto ditë që t’i provojë të gjitha shanset e kualifikimit.

“Sherifi është një skuadër me kualitete ka lojtarë mjaft cilësor në sulm, fakt për të cilin jemi të vetëdijshëm, pasi i kemi studiuar edhe përpara se të përballeshim në sfidën në Tiranë, kemi ndjekur disa takime të Sherifit. Gjithsesi nëse duam të luajmë shanset tona për kualifikim duhet të mendojmë vetëm për veten tonë”.

Për gjendjen e grupit të lojtarëve, duke shuar zërat e fundit që ka flasin për përçarje në kampin e kuq, Franko Lerda tha se është punuar me dëshirë dhe optimizëm për ta marrë kualifikim në Moldavi.

Nuk foli për ndryshime në skemë apo lojtarë, por me siguri që Trashi dhe Asani do të luajnë nga minuta e parë nesër.

“Jemi një grup mjaft i mirë me mjaft lojtarë të rinj të talentuar të cilët kanë dëshirë të rriten, të përmirësohen dhe të bëjnë mirë. Në skuadër ka mjaft optimizëm pasi në futboll gjithçka është e mundur,” – deklaroi Lerda 24 orë para sfidës me Sherif Tiraspol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë