Futboll

Leonardo pranë lamtumirës, Milani shënjestron Igli Taren

Kohë ndryshimesh te Milani. Braziliani Leonardo, një nga drejtuesit kryesorë të klubit kuqezi, është pranë largimit dhe ai që mund ta zëvendësojë është Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios. Lajmi bëhet i ditur nga portali italian “Calciomercato.com”, që shpjegon se Tare është ndër kandidatët kryesorë për të zënë vendin e Leonardos, nëse ky i fundit i jep lamtumirën Milanit.

Kohët e fundit është vënë në dyshim posti i drejtorit të sektorit tekniko-sportiv të Milanit, Leonardos, i cili nuk ka raporte të mira me administratorin e ri, Ivan Gazidis. Së fundi Leonardo ka marrë një tjetër “Jo” nga Gazidis, këtë herë për futbollistin brazilian Everton. Leonardo duket se është personi që do të paguajë për sezonin e dobët të Milanit, aq më tepër nëse kuqezinjtë mbeten jashtë Championsit dhe gjasat janë të mëdha të ndodhë kështu. Drejtuesi brazilian mund të jetë një nga “kokat e prera” të “Elliott”. Dhe si zëvendësuesi më i mirë shihet drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, emri i të cilit është lakuar edhe më parë në klubin kuqezi.

Lajmi për interesimin e Milanit për Igli Taren


Në fakt, raporti i Tares me Lotiton ka qenë mjaft i mirë për vite me radhë, por këtë sezon, që nuk ka qenë pozitiv për Lacion, mes tyre ka pasur ndonjë fërkim. Shumë gjëra mund të vendosen nga finalja e Kupës së Italisë, që mund të ndryshojë gjithçka për Lacion. Por, në rast se Kupën e Italisë e fiton Atalanta, krisja mes drejtuesit shqiptar të Lacios dhe presidentit Lotito mund të thellohet dhe në këtë rast mund të përfitojë Milani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë