Kombetarja

Lenjani i rikthehet sherrit me Panuçin: Më erdhi shumë inat në atë moment

Para gazetarëve në konferencën për shtyp ka folur edhe mbrojtësi anësor i rikthyer në kombëtare, Emir Lenjani. Në fjalën e tij, mbrojtësi kuqezi që në 4 muajt e fundit është duke kaluar një formë mjaft të mirë, ka theksuar faktin se tashmë atmosfera është shumë më pozitive.

Duke folur fillimisht për përplasjen që pati me ish-trajnerin Kristian Panuçi, Lenjani tha se atë gjë ai tashmë e ka lënë pas. Lenjani thotë nuk e kuptoi asnjëherë vendimmarrjen e Panuçit në atë kohë, por tani sipas tij kjo gjë nuk ka më rëndësi.“Për atë që ndodhi me Panuçin nuk dua të flas më. Shumë e vështirë ishte dhe shumë inat më ka ardhur dhe çfarë ndodhi me Panuçin. Ai nuk mund të bëhet më shumë shqiptar se unë. Që nga koha kur kam veshur këtë fanellë dhe deri më sot kam qenë gjithmonë krenar. Isha në një sezon shumë të mirë dhe nuk isha në grumbullim, jam habitur. Në atë moment nuk dija ç’të thoja. Ajo që ndodhi me Panuçin, e kam thënë më herët dhe nuk dua të kthehem më.”- tha Lenjani.

Më tej Lenjani ka folur për raportin që ka krijuar me trajnerin e ri, Edi Reja, duke thënë se janë takuar para disa javësh në Zvicër dhe kanë ndarë me njëri tjetrin idetë që kanë për lojën dhe këto kualifikuese. “Unë jam takuar me disa lojtarë në Zyrih dhe kemi pasur një bisedë shumë të mirë dhe ai na ka shprehur idetë e tij dhe mendimin që ka për lojën. Tani çdo lojtarë ka idetë e tij për të luajtur. Për mua nuk ka asnjë problem për të luajtur në çdo krahë jam i gatshëm të luaj aty ku mund ta ndihmoj më shumë ekipin.”

Ndeshja me Islandën, edhe per Emir Lenjanin do të jetë vendimtare për fatin e kualifikimit të Shqipërisë. Sipas mbrojtësit që luan në Zvicër, Islanda nuk është në momentin e saj më të mirë, por sërish mbetet një ekip shumë i fortë. “Tani ta shohim se çfarë do të ndodhë. Loja me Islandën do të jetë shumë vendimtare dhe shumë e vështirë. Dhe pas ndeshjes me Islandën do të shikojmë më pas çfarë mund të bëjmë edhe me Moldavinë në shtëpi.  Unë mendoj se Islanda për momentin është pak më dobët, por sërish janë shumë të fortë me lojërat që kanë bërë. I kanë tre lojtarë shumë të mirë, por edhe si ekip janë shumë i fortë.”

Lidhur me lodhjen e sezonit dhe peshën që mban ky fakt për shkak se në qershor Shqipëria nuk ka marrë rezultate shumë pozitive në të shkuarën, për Lenjanin nuk ka shumë rëndësi, pasi të gjithë ata futbollistë që janë grumbulluar, janë të gatshëm për të dhënë maksimumin kurdoherë. “Normalisht që qershori është fundi i sezonit dhe të gjithë nuk jemi të freskët, por nuk është problem i madh për neve.  E rëndësishme është që të kënaqim tifozët dhe të japim maksimumin.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë