Ka ndodhur

Leli takon bizneset në Vlorë dhe i jep të drejtë Ramës: Një orë më shumë s’është pak

Në një përpjekje për të zgjidhur situatën, kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli ka takuar përfaqësuesit e bizneseve në Lungomare pas vendimit për të mbyllur lokalet e tyre, duke kundërshtuar ndalimin e muzikës nga akti normativ në orën 22:00 të mbrëmjes.

Kërkesat që kanë bizneset në Vlorë, i drejtohen qeverisjes qëndrore, por Leli ka zgjedhur t’i takojë ata në mënyrë për të gjetur një zgjidhje, që i shërben dhe jetës turistike e ekonomike të qytetit.

Gjatë bisedës me përfaqësuesit e biznesit, Leli ka thënë se muzika mund të ndikojë në përhapjen e virusit, duke i dhënë të drejtë edhe kryeministrit Rama.

Sipas tij dhe ekspertëve, ajo ndikon në përhapjen e Covid, pasi njerëzit mund të jenë më të shkujdesur, sa i takon respektimit të distancave.

“Ju shpjegoj disa gjëra si mjek. Ju iu është krijuar ideja sikur virusi shpërndahet nga valët muzikore, Muzika me zë të lartë i detyron njerëzit të afrohen më shumë dhe të nxjerrin më shumë spërkla. Nuk e dimë nëse të gjithë vizitorët janë të shëndetshëm”, - tha Leli.

Ai komentoi edhe zgjatjen e orarit për lejimin e muzikës përtej orës 23:00, të njoftuar nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar këtë një gjë jo të vogël për sektorin e turizimit.

“Për fat kryeministri ka dhënë fashën e re orare që është ora 23:00. Nuk është një gjë e vogël, është një orë më shumë”, - vijoi ai.

Leli kërkoi nga biznesmenët vlonjatë që të mos hedhin baltë për qytetin, ndërsa tha se flasë investimeve të gjithë hotelet në Vlorë janë të prenotuara.

“Skena që kam parë dje nuk është një gjë që na nderon, Jemi në kulmin e sezonit turistik. Këto janë ditët tona. Sa më shumë muzikë të ketë aq më shumë do bërtasim dhe krijojmë mundësi për të infektuar dikë që kemi përballë”.

Kryebashkiaku kërkoi më shumë përgjegjshmëri, duke parë dhe situatën e rënduar në shtete të ndryshme të Europës.

“Nuk e kemi zgjedhur këtë situatë. Duhet të përballemi me këtë situatë. Çfarë do të ndodhte nëse shifrat do të kërcejnë? Ne e kaluam këtë rrugëtim. Kjo po ndodh në shtete të civilizuara. Nuk mund ta mendojmë me natyrën tonë vlonjate që nuk na bën gjë virusi”, - shtoi Leli.

Më herët, kryeiministri Edi Rama në një status në Twitter, tha se të martën hyn në fuqi orari i ri i lejimit të muzikës në lokale deri në 23:00. Por nga ana tjetër, shtoi se kush do që të këndojë dhe kërcejë më shumë, është i lirë ta bëjë në natyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë