Kombetarja

Legjionarët me valixhe në duar, Grezda drejt Francës, Sadiku dhe Hysaj ‘në ajër’

Kur po i drejtohemi muajit të fundit të sesionit të transferimeve, janë disa lojtarët e kombëtares shqiptare që ende nuk i kanë gjetur ekipet e tyre të reja. Duke nisur me Eros Grezdën, Elseid Hysaj, Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Kristal Abazaj, Kastriot Dermaku dhe disa të tjerë që këto javë pritet të stacionohen në ekipet e tyre të reja.

Për ta nisur me Elseid Hysajn, për të cilin flitet çdo ditë në mediet shqiptare dhe ato italiane, por që ende nuk e ka gjetur ekipin e ri. Shkodrani është përfolur për të kaluar në shumë ekipe gjatë kësaj vere, por në ditët e fundit më favoritët janë paraqitur, Roma dhe Juventus. Kryeqytetasit e duan në krah, pasi Hysaj mund të luaj shumë mirë në skemat e trajnerit të ri, ndërsa në Torino e kërkon Sarri, me të cilin ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tij te Empoli dhe Napoli.

Eros Grezda duket se do të largohet vetëm pas një viti aventurë te Reinxhers. Sulmuesi gjakovar nuk arriti të përshtatet me futbollin skocez dhe me skemat e trajnerit Stiven Xherrad dhe gjatë javës pritet të kalojë në kampionatin francez. Sipas medieve franceze, Brest duket ekipi më afër shërbimeve të Grezdës, që do të ketë kështu mundësinë të provojë vetën sërish në një kampionat shumë të fortë, si Ligue 1.

Për Armando Sadikun dilemat janë edhe më të mëdha. Sulmuesi është pjesë e Levantes në La Liga, por nuk duket të jetë në planet e ekipit për sezonin e ri. Elbasanasi po stërvitet fortë këto javë në kërkim të një shansi të dytë, por është vënë në merkato nga klubi në pritje të ofertave bindëse. Nga Turqia kanë qenë zërat më të fortë për kalimin e Sadikut, por deri më tani ende asgjë konkrete.

Pak a shumë e njëjta situatë paraqitet edhe për sulmuesin tjetër kuqezi, Sokol Cikalleshi. Kavajasi luan prej disa vitesh në Turqi, në ekipe të ndryshme dhe këtë verë duket se do të largohet sërish. Aksihar duket se nuk e preferon më atë dhe Cikalleshi mund të kalojë në një tjetër skuadër po në Superligën turke.

Për Kastriot Dermakun kjo verë paraqitet shumë e çuditshme. Mbrojtësi 27-vjeçar u transferua te Parma, por mund të mos luaj te ekipin sezonin që vjen. Ekipi emilian nuk është shumë i bindur te shqiptari dhe mund ta huazojë në një tjetër ekip në Serinë B, për të marrë më shumë eksperiencë.

Ndërsa për Kristal Abazaj kjo verë duket pak më e qetë, por sërish me zëra merkatoje që e largojnë nga Kroacia, ku aktualisht ai luan me Osijek. Në merkato janë edhe disa lojtarë të tjerë të xhiros së kombëtares, si Kaçe, Balliu, por edhe Aliji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë