Futboll

Pele kurorëzon pasardhësin e tij: Është Mbape dhe jo Nejmar!

Legjendarit Pele i shkëlqejnë sytë teksa sheh në fushë sulmuesin e ri të PSG-së, Kilian Mbape. Ish-futbollisti i famshëm brazilian është i bindur se ka gjetur pasardhësin e tij më në fund, është i bindur se francezi, pas Botërorit të Rusisë, do të shkruajë historinë e futbollit.

Sot janë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, dje ishte Ronaldo “Fenomeni”, por Pele mbetet Pele. Ylli brazilian sot është 78 vjeç dhe ka kaluar kohë nga dalja e tij e fundit zyrtare. Koha kalon dhe ai duket se mbetet po njësoj. Sa herë që në skenë del një futbollist klasi, pyetja e parë që bëhet është: a është ai Pele i ri? Krahasimet janë të pashmangshme dhe këtë radhë ai që e bën krahasimin është Pele dora vetë. Edson Arantes do Nashimento e ka gjetur më në fund pasardhësin e tij. Ai ka kurorëzuar sulmuesin e ri francez Kilian Mbape: “Mendoj se Mbape do të jetë Pele i ri”, - ka deklaruar legjenda braziliane për “France Football”.

Kilian Mbape feston me Kupën e Botës

Për të bërë këtë përcaktim, Pelenë e ka shtyrë më shumë paraqitja e sulmuesit në “Rusi 2018”. “Kilian e ka fituar Kupën e Botës 19 vjeç, unë isha 17. U afrova dhe i thashë se gati më kishte arritur mua. Besoj vërtet se ai do të bëhet Pele i ri. Shumë njerëz mund të mendojnë se e kam thënë për të qenë i sjellshëm, por nuk është kështu”, - ka shtuar Pele, i cili në fund ka bërë një koment edhe për Nejmarin: “Njerëzit mendojnë se unë ia tërheq shumë veshët, por një baba nuk kritikon kurrë, ai edukon. Kur them se është një krijim i yni, e them sepse e konsideroj një djalë të Santosit. Ajo që them dhe bëj është për të mirën e tij, dua më të mirën për të dhe Brazilin. Dua që ta ndihmoj të përmirësohet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë