Futboll

Legjenda Paolo Maldini flet hapur: Mos prisni blerje si të Berluskonit!

Milani synon të forcojë grupin me ndonjë goditje në merkaton e dimrit. Trajneri Stefano Pioli ka pohuar në konferencë shtypi se i mungon një mbrojtës dhe është detyra e drejtuesve të klubit që të gjejnë profilin e duhur për këtë rol.

Paolo Maldini, ish-mbrojtësi legjendar i Milanit dhe Italisë, aktualisht drejtues në klubin kuqezi, flet hapur dhe qartë sa i takon merkatos: "Mos prisni goditje si të Berluskonit në merkato. Duhet të jemi të arsyeshëm në lëvizjet që bëjmë”, - ka theksuar Maldini, duke ulur euforinë në kampin milanist.

Paolo Maldini, drejtues i Milanit. Gazeta Si, 8 janar 2022

Në fokusin e Milanit është mbrojtësi Botman i Lilës, për të cilin Maldini ka thënë: "Lojtar i mirë, por nuk është i vetmi në qarkullim. Botman ka kontratë me Lilën deri në vitin 2024. Do të shohim çdo mundësi, nëse do të marrim një mbrojtës në huazim, ose ta blejmë përfundimisht".

Diçka do të bëhet në merkato, siç pohon edhe Maldini, por përparësi ka qëndrueshmëria ekonomike e klubit, pra nuk do të ketë asnjë çmenduri. "Berluskoni merrte lojtarët më të mirë në botë, - ka shtuar më tej Maldini, - ndërsa tani tifozët nuk mund të presin blerje të tilla me shumë miliona".

Milani është në garë për titullin kampion në Serinë A. Pas fitores 3-1 me Romën në mesjavë, kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë, pas Interit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë