Kombetarja

Si e parashikoi legjenda Mujo Targaj fitoren e Shqipërisë dhe… kualifikimin (?)

Nga Fatjon Rupi – ‘Fiton Shqipëria!’ E thënë nga goja e tij për Gazeta Si duhej besuar dhe duhej marrë shumë seriozisht në konsideratë. Muhedin (Mujo) Targaj, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare dhe Dinamos, e parandjente një mbrëmje të madhe sot në “Air Albania”. Para ndeshjes ai na dha parashikimin e tij për një fitore bindëse të Shqipërisë përballë Polonisë në "Air Albania"

Ish-mbrojtësi i hekurt i viteve ’80 ka luajtur ndaj Polonisë me shiritin e kapitenit në krah, siç e tregon edhe fotoja ikonike e tij me Zibi Boniek, ish-sulmuesin e famshëm polak të Juventusit dhe Romës. Me golin e tij polakët fitonin 0-1 në “Qemal Stafa”, ndërsa në Mielec kuqezinjtë barazonin 2-2 në kualifikuese.

Mujo Targaj dhe Rumenige. Gazeta Si, 10 shtator 2023

“Është situatë pak e ngjashme me atë tonën. Në “Qemal Stafa” ata na mundën me një gol të Boniek, kurse në Poloni mbaj mend që kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Shënuam dy gola, të parin me Bedri Omurin dhe të dytin me Agustinin (Kolën). Na barazuan në fund, por vërtet bëmë një ndeshje të mirë”, shprehet Targaj.

Për ish-kapitenin kuqezi, Polonia e momentit nuk është ajo që ka qenë, ndërsa për Shqipërinë e Silvinjos ai thur elozhe: “Pak a shumë, një lojtar kishin atëherë, një lojtar kanë edhe tani (Levandovskin). Por polakët nuk janë ata që kanë qenë, nuk janë aq të fortë dhe ne kemi mundësi të fitojmë", na tha para ndeshjes Targaj.

Kombëtarja para ndeshjes me Poloninë në vitin 1985 në "Qemal Stafa". Gazeta Si, 10 shtator 2023

"Me këtë eufori dhe me këtë moral që ka skuadra në këtë moment. Është momenti më i mirë për ne kjo ndeshje vendimtare. Kemi një mesfushë shumë të mirë, kemi sulmues të mirë dhe po ashtu kemi një trajner shumë të mirë, siç është Silvinjo.

E kam ndjekur Kombëtaren rregullisht dhe e them pa frikë se jemi rritur shumë. E kemi ngritur nivelin si ekip për të bërë diçka të madhe. Në Çeki kemi luajtur shkëlqyer dhe e kemi merituar plotësisht barazimin”, theksonte Targaj për Gazeta Si.

Targaj dekorohet nga Meta. Gazeta Si, 10 shtator 2023

Në fund, Mujo Targaj nuk na la shumë vend për interpretim sa i takon objektivit të kuqezinjve: “Fiton Shqipëria dhe kualifikohemi për në Europian. Edhe barazimin do ta quaja humbje për forcën që ka skuadra dhe momentin që po kalon. Kam shumë besim se do ta kalojmë me sukses të plotë këtë ndeshje”, pati parashikuar ish-mbrojtësi i kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë