Ekspozite

Lee Hadwin, “artisti i fjetur” që mund të vizatojë vetëm kur është në gjumë

E imagjinon dot të zgjohesh dhe të gjesh një vepër arti të varur në murin e dhomës? Kjo është historia e Lee Hadwin, i njohur ndryshe si “artisti i fjetur”. E gjitha filloi kur Lee ishte vetëm 4 vjeç, ai zgjohej natën dhe fillonte të vizatonte.

Me kalimin e viteve veprat e Hadwin filluan të bëheshin më të ndërlikuara. Në moshën 15-vjeçare ai vizatoi tri portrete mahnitëse të Marilyn Monroe, e megjithatë ai nuk e mban mend ta ketë bërë një gjë të tillë.

Të ecurit në gjumë apo të folurit në gjumë janë më të zakonshme dhe të përhapura, por të vizatuarit në gjumë është mjaft e rrallë. Dhe Lee ka pranuar se është i tmerrshëm në të vizatuar kur është zgjuar. Por si shpjegohet kjo gjë?

Penny Lewis nga ‘Cardiff University’ shpjegon se fenomeni i të ecurit mund të ndodhë kur ka një mosbalancim në trurin e njeriut, gjatë kohës që një pjesë e trupit është në gjumë, sistemi lambik, i cili kontrollon emocionet është zgjuar. Ajo thotë se ky mund të jetë shpjegimi edhe për shprehjen artistike të Lee-s.

Hadwin, i cili është vizituar nga doktorë dhe psikologë nga të gjitha vendet, është cilësuar si “unik”. Lee shprehet se “Ai ç’ka i bën më kuriozë njerëzit është fakti se unë nuk mundem ta riprodhoj të njëjtën vepër arti kur jam zgjuar”.

Ai tregon se kur ishte fëmijë çohej natën, merrte lapsat me ngjyra dhe fillonte të shkarraviste muret. Prindërit e tij u përpoqën të zbulonin se çfarë ishte ky kreativitet i pazakontë, por shumë doktorë e cilësuan si “traumë”. “Por nuk kishte asnjë traumë në jetën time deri në moshën 4 vjeçare, humba disa miq kur isha 12 vjeç por nuk mendoj se ishte ky shkaku”, tha Hadwin.

Klinika e gjumit në Edinburgh studioi me vëmendje të gjitha sjelljet e tij gjatë natës dhe u këshilloi prindërve që thjesht ta linin të vazhdonte. Gjatë dy dekadave pasuese ai bëri më shumë se 600 piktura dhe vizatime me stile të ndryshme.

Hadwin shprehet se nuk e ka parë asnjëherë veten si artist, por këto vitet e fundit ka vendosur të mos ndihet më fajtor për këtë gjë. Ai hoqi dorë nga puna e tij si kujdestar për njerëzit që kanë pasur trauma serioze në kokë dhe u bë një artist me kohë të plotë. Tani ai i shet veprat e tij dhe nga fitimet dhuron shuma të mëdha për bamirësi.

“Njerëzit studiojnë për vite me rradhë dhe punojnë shumë fort. Më pas vjen dikush si unë, i cili nuk ka shkuar asnjëherë në universitet dhe nuk di shumë gjëra për artin, dhe ka njerëz që blejnë veprat e mia”, tha Lee.

Por ai ndjen se ka filluar të konsiderohet si një artist në botën e artit dhe është marrë nën menaxhimin e “Incandescent Artists”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zotëron një vepër të Hadwin, ndërsa pikturat e tij të hershme të Marilyn Monroe u blenë nga “The Marilyn Monroe Museum” në Hollywood për më shumë se 4000 paund.

https://youtu.be/i4eBwYZ3Tbo

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë