Futboll

Leao goditja e parë e RedBird, të gjithë emrat e Milanit të ri

Gazeta Si - Nkunku, Xaniolo, De Ketelaere. Janë shumë emrat që qarkullojnë këto ditë në merkaton e Milanit. Por përparësi e pronarëve të rinj, sapo të rinovohen kontratat e Maldinit dhe Masarës, është rinovimi me yjet e skuadrës, duke nisur nga Leao.

Portugezi ishte vendimtar në titullin e 19-të kampion. Për ta blinduar këtë lojtar, që ka kontratë deri në 2024-ën, klubi kuqezi ka gati një pagë trefish më të lartë, deri në 4.5 milionë euro në vit.

Pavarësisht tentativave të agjentit Horge Mendes për ta çuar te Reali, Milani ka vullnetin për ta mbyllur sa më shpejt rinovimin me portugezin Leao. Klauzola e prishjes së kontratës në këtë rast do të shkonte në 250 milionë euro.

Me prokuratorin Mendes ndërkohë vazhdojnë kontaktet për të afruar mesfushorin Renato Sançes. Madje, kanë mbetur vetëm detajet e fundit për ta veshur atë kuqezi.

Renato Sançes, një nga objektivat e Milanit. Gazeta Si, 6 qershor 2022

Lojtari i datëlindjes 1997 do të marrë vendin e Kesi, që ka kaluar te Barcelona. Pas akordit me lojtarin dhe agjentit, do të jetë radha e bisedimeve me Lilën, që në janar kërkonte 25 milionë euro për mesfushorin.

Sançes do të ishte goditja e dytë e Milanit të ri të RedBird, pas sulmuesit Divok Origi. Belgu kalon te Milani me parametra zero.

Mesfusha për sezonin e ri duket e bërë praktikisht. Nga Bordo do të vijë Jasine Adli, i blerë që verën e kaluar. Tomazo Pobega, që sapo ka debutuar me Italinë, do të kthehet nga huazimi te Torino.

Për sa u takon rinovimeve, pas Leaos do të jetë radha e Fikajo Tomorit. Klubi ka biseduar me njerëzit pranë mbrojtësit anglez me objektivin për të rinovuar deri në 2025-ën. Paga e lojtarit do të shkonte nga 2 në 3.5 milionë euro në sezon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë