Editorial

Le të mos flasim për Ballkanin e Hapur për ca kohë

Qeveria ka dalë publikisht për të na treguar se ka prova që sipas saj tregojnë se Ballkani i Hapur po funksionon.

Ndaj sa të harxhojmë sërish kohë me parashikimet, më mirë po nisim të vërtetojmë se sa të forta dhe të vërteta janë këto prova dhe sa të dobishme janë për ne.

Prova e parë është importi i grurit nga Serbia. Jo se Shqipëria nuk ka importuar prej saj edhe përpara Ballkanit të Hapur por se për shkak të luftës në Ukrainë, prej nga ku ne marrim sasitë më të mëdha dhe kufizimet e tregtisë që vendosi Beogradi, u bë i vështirë furnizimi i tregut të brendshëm.

Qeveria tha se në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur arritën që të heqim barrierën e Serbisë. Tani importuesit shqiptarë mund të marrin prej atyre një pjesë të sasisë për të parandaluar një krizë të mundshme.

Prova e dytë ishte vaji i rafinuar, nga Maqedonia e Veriut. Bllokimi i tregtisë dhe çmimet e larta pakësuan rezervat e brendshme dhe tregu vendas po has në vështirësi. Edhe Maqedonia kishte vendosur limite në importe por qeveria tha se negocioi dhe prej andej mund të marrim sasi që mund të plotësojnë boshllëqet e nevojave të konsumatorit.

Tregtarët shqiptarë na e pohuan se provat janë duke konfirmuar se importi i grurit dhe vajit nga Serbia dhe Maqedonia po ndodh.

Por kaq nuk i mjafton Shqipërisë që të mund të shikojë përfitimet. Të dyja provat vërtetojnë së paku deri tani se në Ballkanin e Hapur do të jemi konsumatorë dhe jo përfitues të ardhurash. Në të dyja rastet ne jemi importues.

 Paratë e shqiptarëve, që është blerësi më i varfër, pas boshnjakut, do të shkojnë si të ardhura për Serbinë dhe Maqedoninë. Megjithëse Ballkani i Hapur siç thotë qeveria po funksionon, ai nuk është simetrik, por traun e kemi ngritur vetëm ne dhe jo fqinjët, se ne jemi në nevojë.

Për shumë arsye, të paktën për këto dy produkte por dhe të tjera, ekonomia shqiptare nuk është konkurruese dhe këto dy prova nuk janë erëra të ngrohta për Shqipërinë. Ato shkojnë në favor të analizës se prej Ballkanit të Hapur ekonomia shqiptare do të jetë humbëse. Për momentin ne as mundemi të prodhojmë grurë dhe as të rafinojmë vaj.

Pikërisht këto dy prova prekin edhe plagën tonë më të madhe. Sot bujqësia është një nga kontribuesit më të mëdhenj në eksporte dhe prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Konkurrenca, furia dhe fuqia e fqinjëve në të paktën këto dy raste tregon se është e përballueshme dhe ata do të jenë dominues dhe disa fish.

Kosova deri tani nuk ka pranur të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur aq sa ka “mërzitur” dhe madje revoltuar edhe vëllain në Tiranë. Kryeministri Albin Kurti nuk ka lënë asnjë shteg të hapur, sa do të vogël, që do të aspirojë në të ardhmen për Ballkanin e Hapur megjithë ftesën përsëritëse dhe goxha të përmbajtur për të fshehur irritimin e kryeministrit Rama.

Por një tjetër lajm i fundit na dha një provë se Kosova ka të drejtë kur thotë se Serbia mund të jetë një partner me hile dhe nisma një kurth. Kur Kosova para pak ditësh deklaroi se po shikon mundësinë për aplikim në Këshillin e Europës, presidenti i Serbisë, Vuçiç i pakënaqur tha se do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Prishtina do të kërkojë anëtarësimin në Europë.

Ideja e Ballkanit të Hapur ngjizi si një model i ngjashëm me fillimet e krijimit të Union Europian. Në fillim tregti pa barriera, lëvizje e lirë, dogana të përbashkëta etj.

Por për sa kohë Serbia nuk dëshiron që Kosova ta përqafojë këtë model, pse duhet të bindemi se Prishtina është e pëlqyer nga Beogradi tek Ballkani i Hapur me po të njëjtin model?

Vetë Kryeministri Rama është shprehur i keqardhur për këtë deklaratë të Serbisë.

Megjithëse, provat numerikisht janë ende të pamjaftueshme dhe është ende shpejt për të marrë një përfundim të plotë, ato deri tani, sikur të ishin zgjedhur enkas me dorë nga fqinjët tanë ballkanas, po vërtetojnë dobësinë tonë.

Ashtu siç janë reklamuar të dy rastet, tingëllojnë si një vënie e dorës në zemër, një keqardhje e fqinjit për fqinjët ( paçka se këtë ndihmë të presupozuar e blejmë me para) se sa një model i qëndrueshëm mbi një marrdhënie reciproke ku palët punojnë dhe përmes saj jetojnë bashkarisht me dinjitet.

Ndaj më mirë të heshtim për momentin sepse ende ekonomikisht dhe shqiptarisht e kemi ende kokën ulur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë