Kosova

LDK: Qeveria Kurti i ka braktisur kosovarët dhe po merret me zgjedhjet në Shqipëri

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti që po neglizhon gjendjen me pandeminë në Kosovë duke u marrë me zgjedhjet në Shqipëri.

Ai ka thënë se marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri nga kryeministri, ministrat e deputetët e tij në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin në Prishtinë, kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri e papërgjegjësi.

“Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim - qoftë madje edhe si solidarizim - është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot! Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”, ka shkruar ai në Facebook.

Abdixhiku ka shkruar se duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim.

“Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”, ka shkruar tutje ai.

Ndërkaq ish-deputetja Melihate Tëmrkolli, e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Tëmrkollit, Kurti me pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet në Shqipëri po vepron njësoj si Vuçiçi me Listën Serbe në Kosovë.

Tërmkolli shkruan se Kurti, direkt apo indirekt po legjitimon shkeljen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia.

“VV-ja në zgjedhjet e Shqipërisë. Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti dhe partia e tij, VV-ja, me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet në Shqipëri po veprojnë njësoj si Vuçiçi me Listën serbe në Kosovë. Kryeministri Kurti, direkt apo indirekt po legjitimon shkeljen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia. Është filli i një rreziku dhe dëmi të madh shtetëror për Kosovën”, ka shkruar Tërmkolli në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë