Politike

LDK kërkon votimin e qeverisë të mërkurën, Thaçi i mbështet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar sot se ka kërkuar që seanca për votimin e Qeverisë së re të Kosovës, me në krye me Avdullah Hotin të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

Lajmi u bë i ditur nga Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. “Pas marrjes së aktgjykimit të Gjykatës, në emër të LDK-së kam dorëzuar kërkesën në Kuvend. Presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha Gashi.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet kryesia e partisë, ku do të arrihet edhe një marrëveshje për emrat e ministrave të rinj të qeverisë. Pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës, nisi bisedimet për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve joshumicë.

Mustafa bëri të ditur për arritjen e pajtimit për të qeverisur së bashku por deri më tani, pos AAK-së, asnjëri nga subjektet politike nuk kanë publikuar emrat e propozuar për ministra.

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se pas të Gjykatës Kushtetuese, qeveria Hoti duhet të formohet një orë e më parë. Në një konferencë për mediat, Thaçi theksoi edhe njëherë se nuk e ka shkelur Kushtetutën për mandatimin e Hotit,

 “Sot kam pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekretin tim me të cilin propozova z, Hoti për Kryeministër. U dëshmua edhe njëherë se në Kosovë është një vend demokratik dhe se në vendi tonë funksionojnë me sukses institucionet e pavarura.. Shpresoj të jetë kapitull i ri për stabilitet”, ka thënë Thaçi.

Ai bëri thirrje që të themelohet sa më parë Qeveria e re. “Kosova nuk e ka luksin të mos ketë qeveri. Ftoj partitë politike dhe të nominuarin për Kryeministër të marrë përgjegjësitë”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, me në krye Albin Kurti ka nisur një peticion përmes së cilit ka ftuar qytetarët që të kundërshtojnë formimin e qeverisë së re si dhe kërkon zgjedhje të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë