Kosova

LDK humb pas 20 vitesh në Besianë, Vetëvendosje fiton thellë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi është shpallur fitues i zgjedhjeve në Komunën e Besianës (Podujevë).

Sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Vetëvendosje ka korrur një sukses dërrmues në këtë zonë që njihej si bastion i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e ka drejtuar këtë komunë për 20 vite me radhë.

Vetëvendosje dhe kandidati i saj kanë marrë rreth 52 për qind të votave, ndjekur me rreth 36 për qind të tyre nga LDK dhe vetëm 12.5 për qind nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet në Komunën e Besianës ishin të parakohshme pas dorëheqjes së përfaqësuesit të LDK-së, Agim Veliu, që u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë Kurti si pjesë e marrëveshjes Kurti-Mustafa.

Fill pas shpalljes së rezultatit, zëra brenda LDK-së kanë kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Avdullah Hoti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Mbajtja e procesit zgjedhor u shty për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid.

Ndërkohë, në Komunën e Mitrovicës së Veriut fitues u shpall kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviç me rreth 90 për qind të votave, subjekti i dytë u rendit Vetëvendosje, ndjekur më pas nga PDK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë