Njerez

LGBTI kërkojnë me ligj të birësojnë fëmijë në Shqipëri

E. C e kishte të vështirë ta pranonte se nuk ishte si vëllai dhe shokët e tij. Ai ishte rritur në një familje tradicionale shqiptare, në një qytezë në Jug të vendit. Babai i tij ishte kryefamiljar me rregulla të forta dhe i dhënë pas familjes, ndërsa nëna ishte një mësuese, e përkushtuar poashtu shumë pas familjes dhe dy djemve të saj.

Gjatë adoleshencës së tij, por edhe në rininë e hershme, E. krijoi disa lidhje intime me vajza të moshës së  tij. Por emocionalisht ai nuk u tërhoq kurrë nga gjinia e kundërt.

Kur ishte 20 vjeç ai u zhvendos në Tiranë ku filloi studimet e larta e njëkohësisht krijoi një lidhje intime me një vajzë një vit më të vogël. Marrëdhënia e tyre zgjati rreth një vit e gjysmë, megjithëse provuan edhe të bashkëjetojnë. Por në fund, ashtu si çdo lidhje paraardhëse, edhe ky raport i E. me vajzën përfundoi.

“Më dukej sikur isha në kurth dhe po tradhëtoja veten çdo ditë që kalonte. Ka qenë një periudhë tepër e vështirë për mua”, shprehet E., për Gazetën “Si”, teksa kujton atë periudhë të jetës së tij. 

Tashmë, ai është një homoseksual i deklaruar dhe prej disa vitesh bashkëjeton me të dashurin e tij nga Holanda, me të cilin ka dëshirë të martohet dhe të krijojë familje.

“Për mua ishte e vështirë ta pranoja që isha ndryshe. Tmerri më i madh ishte kur mendoja reagimin e prindërve dhe të vëllait. Kalova vite të tëra, duke u përpjekur të bëhesha ai që nuk isha”, vijon ai.

Të pranonte veten nuk ishte fare e thjeshtë. Por njohja me të J.S., të dashurin e tij aktual, bëri që më në fund ai të shfaqet për atë që është.

J. ndodhej në Shqipëri për arsye biznesi dhe pasi u njoh me të, vetëm disa muaj më vonë, që të dy vendosën të largoheshin drejt Holandës, ku jetojnë edhe sot.

“Për familjen time ishte e vështirë ta pranonin diçka të tillë. Madje, unë kurrë nuk ia kam pohuar këtë gjë drejtpërdrejt. E prezantova J. me mamin tim si shok dhe mik timin e më pas gjërat ndoqën rrjedhën e tyre. Sigurisht, për ta ka qenë shumë e vështirë”, vëren E.

Sot ata planifikojnë të martohen me njëri-tjetrin dhe duan të kenë edhe një fëmijë.

Të njëjtën dëshirë për të birësuar fëmijë ka edhe Z.F dhe F.L, një çift grash homoseksuale, të cilat jetojnë në Shqipëri. Ligji shqiptar nuk e lejon birësimin nga çiftet e komunitetit LGBTI.

“Do të donim të krijonim familjen tonë dhe të kishim edhe fëmijë. Megjithatë, për momentin e kemi të pamundur diçka të tillë në Shqipëri”, shprehen ato.

Duke pasur parasysh këto kërkesa, Ambasada PINK kërkon zyrtarisht që edhe personat LGBTI në Shqipëri të gëzojnë të drejtën e birësimit të fëmijëve.

“Nisur nga propozimet që Ministria e Drejtësisë ka paraqitur për konsultim së fundi për disa ndryshime dhe përmirësime në ligjin për birësimet dhe në Kodin e Familjes, Ambasada PINK kërkoi që ndryshimet e propozuara të eleminojnë diskriminimin e hapur që iu bëhet personave LGBTI, si në Ligjin e Birësimeve ashtu edhe në Kodin e Familjes”, shprehen përfaqësues të kësaj ambasade.

Sipas tyre, pavarësisht kërkesave të brendshme dhe presionit ndërkombëtar që Shqipëria të garantojë barazinë në martesë dhe përgjegjësitë që vijnë me të, vendi ynë “vijon t’i diskriminojë duke mos u njohur ligjërisht marrëdhëniet apo familjet e tyre, për t’u kujdesur për fëmijët e tyre apo për të birësuar”.

Sot në Europë 26 shtete njohin barazinë në martesë dhe bashkëjetesë: 14 shtete zyrtarisht njohin barazinë në martesën civile në seks të njëjtë dhe 12 të tjera njohin bashkëjetesën civile.

Ministria e Dejtësisë prej disa javësh ka hapur procesin e konsultimit publik për dy ligje të rëndësishme që kanë të bëjën me familjen, atë të birësimit të fëmijëve dhe vetë kodin e familjes. Ambasada PINK thotë se gjatë takimit të fundit konsultues që u zhvillua midis përfaqësuesve të ministrive dhe OSHC-ve, Ambasada PINK paraqiti publikisht kërkesën e saj për eleminimin e të gjitha barrierave apo edhe atrificave ligjore, që ligji shqiptar vijon të mbajë vetëm ndaj personave LGBTI. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë