Futboll

Largimi i Murinjos, hap “vallen” për ndryshime trajnerësh në Europë

Hose Murinjo nga kjo e martë nuk është më trajneri i Mançester Junajtid. Portugezi u shkarkua nga klubi anglez dhe tashmë në të gjitha mediet britanike kanë filluar aludimet për emrin e trajnerit të ri që do të marrë drejtimin e “djajve të kuq”.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit nga Mançesteri përkohësisht zëvendësuesi i Murinjos do të jetë ish-ndihmësi i tij, Majkëll Kerrik. Por ish-mesfushori i “djajve të kuq” nuk besohet që të qëndrojë gjatë në këtë pozicion dhe pritet që në këtë bankinë të rëndësishme të ulet një trajner më peshë. Mes shumë emrave të trajnerëve që për momentin janë të papunë në gazetat britanike më shumë po përfliten Zidan dhe Poketino.

Francezi që pas largimit nga Real Madrid këtë verë është pa një ekip dhe disa herë është përfolur për të marrë drejtimin e klubit anglez. Edhe ai vetë nuk e ka mohuar një gjë të tillë në intervista. Me largimin e Murinjos dhe disa viteve pa shkëlqim, duket se ka ardhur koha e duhur për “Zizu” që të ulet në stolin e Mançesterit. Për të pronarët amerikan përveç rrogës, besohet se kanë paraqitur edhe një çek të bardhë për lojtarët që francezit do të kërkojë në merkato. Edhe nëse do të merrte drejtimin e Mançester Junajtid, zor se Zidan do të pranonte që fillonte në mes të sezonit edhe pse këtë gjë e bëri një herë të Real Madrid dhe nuk i rezultoi keq.

Sakaq diskutimi për argjentinasit Mauricio Poketino është disi më i ndryshëm. 46-vjeçari është në krye të Totenham dhe këtë sezon nuk po shkëlqen edhe pse në 5 javët e fundit ekipi duket sikur është rimëkëmbur. Më herët ish-trajneri i Valencias u përfol për një kalim në krye të Real Madrid, por lëvizja nuk u konkretizua. Sidoqoftë edhe ky trajner është një alternative për Junajtid vetëm për verën, pasi është shumë e vështirë që Poketino të lërë ekipin e tij, Totenham në mes të sezonit dhe të kalojë te rivalët.

Por nuk është vetëm kjo lëvizja që mund të provokojë ky shkarkim i Murinjos. Sipas disa medive në Angli dhe Itali, ikja e “special one” nga Mançester Junajtid, pritet që të provojë një zinxhir ndryshimet e bankinave të disa klubeve në Europë. Nëse Poketino do të kalonte në Mançester ai do të linvte vakant rolin e trajnerit të Totenham. Por edhe Murinjo vetë në ditët e fundit ka qenë në qendër të disa zërave që e çojnë atë drejt Serie A për t’u rikthyer të Inter. Zikaltërit nuk po e bëjnë hapin e madh me Luçiano Spaletin dhe po mendojnë për të rikthyer trajnerin e ëndrrave që në vitin 2010 fitoi tripletën e famshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë