Ngjarje

Larg Tiranës, në fshatin e Bedrie Lokës gjërat janë më të qarta

Nga Megi Iskurti – Shtëpia ku dikur jetonte Bedrie Loka sot ishte e kyçur. Me të hyrë në fshatin Vadardhë, ajo ndodhet në fund të një kthese majtas, ku nuk gjenden më shumë se 10 shtëpi private, gjysma të braktisura.

Matanë gardhit që të lejonte të shihje oborrin prej nga rruga kryesore, mund të dalloje nga larg që në atë shtëpi ku para disa ditësh ndodhi tragjedia dhe hyrje-daljet ishin të shumta, tani kishte pllakosur heshtja.

Kati i dytë i banesës, për të cilin mediat aluduan me zell se mund të ishte shkaku që kishte nxitur ashpër konfliktin mes Bedries dhe vjehrrës së saj, ishte i papërfunduar. Asnjë derë dhe dritare, vetëm një strukturë e ndërtuar me tullë, jofunksionale për të jetuar aktualisht.

Asgjë prej tij, të paktën në dukje nga jashtë, nuk të linte shijen e ‘një prone të dëshiruar’ që mund të ishte bërë objekt sherri në atë familje.

Për banorët e Vadardhës, të cilët ishin të gjithë të shpërngulur nga fshatrat e Dibrës rreth 20 vite më parë, shkaqet e ngjarjes që e shtynë atë drejt vetëvrasjes nuk janë aq konfuzuese.

Shtëpia e Xhemal Lokas

Nga biseda me ta, mund të kuptoje që kjo ndodhi nuk ishte ajo e radhës që thjesht do merrte treditëshin e vëmendjes publike, pasi diskutohej ende zëshëm mes atyre të paktëve që kishin mbetur aty.

Ndonëse nuk deklaronin me siguri shkakun, ata bënin disa përjashtime nga aludimet që janë ngritur prej do ditësh në media, nëse ajo e kreu aktin si pasojë e bullizimit në TikTok apo trysnisë së vazhdueshme nga dhuna e të shoqit dhe konfliktit me vjehrrën.

Atje përmasat e tymanjës, nuk ishin aq të mëdha sa ç’janë në bisedat e qytetarëve, aludimet e gazetarëve apo kafenetë e kryeqytetit. Sepse ata e njihnin Bedrien prej dy dekadash. Thënë këtë, mund ta zhveshnin situatën nga të gjithë pikëpyetjet e ngritura.

“Bashkëshorti vinte shumë rrallë këtu, rreth dy herë në vit ama Bedrien e njihnim dhe mund të them mesiguri që ajo grua nuk pati kurrë nam të keq në këtë zonë. Ka qenë gjithmonë e respektuar për aq sa ne e kemi njohur, dhe nuk janë pak vite. Kemi një jetë që njihemi me njëri-tjetrin këtu. Kur lexuam se çfarë kishin shkruar për të në TikTok ne jemi tronditur. Unë isha e para që nuk i besova ato akuza”, thotë Habibe Mera e cila shet në minimarketin e vetëm që ndodhet mes asaj radhe shtëpish.

Duke iu referuar tipologjisë së fshatrave të vegjël, ku thashethemnaja nuk vonon të përhapet, ajo deklaron për Gazetasi.al se do të ishte marrë vesh prej kohësh në rast se “Bedria do të sillej ashtu siç akuzohej në TikTok.”

Shtëpia gjendet në fund të rrugicës

Vajza 22 vjeçare, fëmija më i madh i Bedries, prej tre vitesh ishte martuar në një fshat aty pranë. Djali 19 vjeçar kishte disa kohë që ishte larguar drejt Italisë në emigrim ndërsa dy fëmijët e vegjël, njëri 11 dhe tjetri 8 vjeç, jetonin me Bedrien. Por aktualisht fëmijët jetojnë tek dajat e tyre.

“Për ata fëmijë mundohej dhe rropatej në fabrikë. Ekonomi fshati, si gjithë ne të tjerët kishte edhe ajo. Të them të drejtën unë nuk e di se çfarë raporti kishte me burrin. Për këtë pjesë nuk mund të flas dot se brenda shtëpisë së tyre e dinin ata se çfarë ndodhte, ama mendojmë që vëllezërit e saj kanë të drejtë”, vijon ajo mandej duke iu referuar deklaratës së vëllezërve që akuzuan të shoqin, ndërsa si për forcë zakoni, gjatë bisedës kthen herë pas here sytë drejt shtëpisë së braktisur së Bedries.

Nga shkaqet e mundshme, banorët e zonës përjashtojnë edhe konfliktet me vjehrrën. Të paktën atë për punën e shtëpisë, ashtu siç përflitet.

Sipas deklaratave që qarkullojnë në media, mamaja e Xhemal Lokës inistonte që katin e dytë të shtëpisë ta merrnin ajo me fëmijët e djalit tjetër, të cilët i kishte braktisur e ëma. Kjo kërkesë, ngrenë alibinë ata, është bërë zanafillë e shumë debateve që kanë çuar në këtë ngjarje.

Sanije Loka ka deklaruar se shtëpinë ia kishte lënë me letra Bedrie Lokes

Por në fakt, deklaratat e banorëve për Gazetasi.al koecidiojnë njësoj me atë të vjehrrës.

“Kemi lexuar që vjehrra donte t’i merrte katin e dytë të shtëpisë që të jetonte me fëmijët e djalit tjetër të cilin e ka braktisur nusja. Por me aq kohë sa kemi ne këtu, vjehrra e Bedries nuk ka jetuar asnjë ditë në këtë shtëpi. Ajo jeton me qira në fshatin Kodër dhe më pas ka ikur në Greqi. Me aq sa dinim, ajo ia kish lënë me letra shtëpinë Bedries”, tregon mandej Habibja për Gazetasi.al ndërsa shton se kati i dytë, është i pabanuar.

Edhe në një deklaratë për media, Sanije Loka është shprehur se nuk ka patur për qëllim që të marrë katin e dytë të shtëpisë.

Ndonëse nuk mund të drejtojnë drejtpërdrejtë gishtin e akuzës nga bashkëshorti i cili tashmë u la në burg nga Gjykata e Durrësit, banorët lënë të nënkuptosh që sipas tyre ai ishte shkaktari pse ajo përfundoi duke pirë fostoksinë.

Hazis Uka, një prej të cilëve po kalonte ndanë rrugës, deklaron për Gazetasi.al se iu besonte jo vetëm deklaratave të prokurorit por edhe të fëmijëve.

“Fëmijët nuk gënjejnë dhe mbi të gjitha janë të rritur. Nëse ata e kanë parë babain duke dhunuar nënën e tyre atëherë kjo ka ndodhur. Për më tepër meqë e tha dhe vetë prokurori që Xhemali e ka dhunuar, atëherë kjo mund të jetë e vërteta”, deklaroi ftohtë ai.

Sipas Prokurorisë, Xhemal Loka ushtronte sistematikisht dhunë psikologjike e fizike ndaj bashkëshortes. Dëshmitë e fëmijëve, pretendimet e familjarëve të viktimës si dhe videot e gjetura në celularin e të arrestuarit u konsideruan prova të mjaftueshme për të lënë në burg atë(8 janar).

Xhemal Loka në kafazin e Gjykatës së Durrësit

Por edhe nëse do të ishte e kundërta dhe Bedria do ta kishte kryer aktin si pasojë e dhunës virtuale në TikTok, për Habiben, fqinjen prej më shumë se dy dekadash, kjo do të ishte e papranueshme.

Askush, sipas saj, nuk duhet të shkojë deri në ato limite për hir të asaj që mund të flitet, siç qe dhe komentimi i ‘nderit’ të Bedries nga profili fals në emër të saj që ishte hapur në TikTok me qëllime denigruese.

“Kanë ndryshuar kohët tani. Nëse dikur thonim më ‘mirë syri se sa nami’ sepse duhej që të kishe emër të mirë në shoqëri e të jetoje me nder sipas normave pavarësisht sa e dëmshme mund të ishte, tani duhet të themi ‘më mirë nami se sa syri’”, thotë ajo teksa hedh një shikim të fundit nga shtëpia ku jetonte Bedria, 10 metra larg minimarketit të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë